Presidenca e Republikës së Kosovës ka shprehur urimet dhe mbështetjen e saj për nominimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) dhe drejtoreshës së saj, Feride Rushiti, për Çmimin Nobel për Paqe, përcjell KosovaPost.
KRCT ka qenë një partner i rëndësishëm i Presidencës së Kosovës ndër vite, duke luajtur një rol thelbësor në organizimin e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe në avancimin e agjendës për këtë çështje në Kosovë.
Kjo organizatë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe ka ndihmuar në ndërtimin e politikave që përmirësojnë mirëqenien dhe statusin e kësaj kategorie në shoqërinë kosovare.
Përveç punës në Kosovë, KRCT njihet ndërkombëtarisht për ndihmën e saj ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikte të ndryshme në botë, duke ndarë përvojën dhe praktikat e saj si një model mbështetës.
“Një falënderim i veçantë është adresuar edhe për deputetin suedez, Magnus Jacobsson, i cili ka dorëzuar zyrtarisht propozimin për këtë nominim te Komiteti Nominues i Çmimit Nobel për Paqe. Jacobsson ka qenë një mbështetës i kauzës, duke marrë pjesë në ngjarje që trajtojnë dhunën seksuale gjatë luftës, përfshirë Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet në njoftim.