Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, ka deklaruar se vendi i tij mund t’i sigurojë azil politik bashkë-themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, transmeton Kosova Post.
Më herët gjatë ditës, një gjykatë britanike vendosi që Assange të mos ekstradohet në SHBA.
Presidenti meksikan vlerësoi vendimin e gjykatës për mohimin e ekstradimit, duke deklaruar se ai është një triumf për drejtësinë dhe se “ai është një gazetar dhe meriton një mundësi tjetër”.
“Unë jam në favor që Assange të falet. Gjithashtu unë do t’i kërkoj ministrit të jashtëm të fillojë procedurat e duhura për t’i kërkuar qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për mundësitë që Assange të lirohet dhe që Meksika t’i ofrojë azil politik”, tha presidenti Obrador në një konferencë për media.
Në vendimin e saj mbi çështjen disa mujore, Gjykata Qendrore Penale tha se Assange nuk mund të ekstradohet për shkak të shqetësimeve mbi shëndetin mendor të tij.
Në rrjetet sociale, raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuar (OKB) për ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe arbitrare, Agnes Callamard, vendimin mbi Assange e quajti “lajm të shkëlqyer nga Mbretëria e Bashkuar”.
“Assange nuk do të ekstradohet në SHBA. Ky ishte i vendimi i vetëm i vlefshëm në bazë të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, shkroi Callamard.
Nëse Assange do të ekstradohej në SHBA, ai do të përballej me 18 akuza për pirateri të kompjuterëve të qeverisë amerikane dhe për shkelje të ligjit të spiunazhit, me një dënim të mundshëm 175-vjeçar.
SHBA akuzon bashkë-themeluesin e Wikileaks për publikimin e qindra mijëra faqe dokumentesh qeveritare, posta elektronike dhe komunikime të tjera, përfshirë ato në lidhje me krimet e mundshme të luftës nga trupat amerikane në Afganistan dhe Irak.AA