Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar për 8 Mars një zyrtare të Presidencës.
Ajo ka thënë se Sebi e Presidencës është shembull i profesionalizmit, kolegialitetit, i mirësjelljes dhe respektit.
Në profilin e saj në “Facebook”, Osmani ka shkruar se zonja në fjalë është inspirimin për zyrtarët e Presidencës.
“Sebi e Presidencës! Shembull i profesionalizmit, kolegialitetit, i mirësjelljes dhe respektit. Prej më shumë se tri dekadash, Sebi jep kontributin e saj që nga koha kur punonte në Rezidencën e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova në Velani, pastaj edhe në institucionin e Presidencës, ku është e angazhuar aktualisht, Sebi po shënon ditë pas dite histori së bashku më institucionin e Presidencës duke u shndërruar në sinonim të punës me dinjitet e integritet në shërbim të vendit”, ka shkruar ajo.
Ajo ka bërë me dije se në këtë ditë të rëndësishme për gruan, ka kalua disa qaste të mira me zyrtaren e Presidencës.
“Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me shumë ëndje kalova disa çaste me Sebin për të biseduar me të e për të mësuar nga ajo, sepse në njerëz të tillë mishërohen edhe vlerat me të cilat krenohet shoqëria jonë dhe historia e grave të vendit tonë. Një grua e jashtëzakonshme, një inspirim për ne në Presidencë dhe për ata që e njohin. Faleminderit, Sebi! Për atë që je dhe për punën e palodhshme!”, ka shkruar Osmani.