Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot një delegacion nga Zyra për Koordinimin e Këshillave Kombëtare Boshnjake, i cili po qëndron në Kosovë me ftesë të përfaqësuesve boshnjakë në Këshillin Konsultativ për Komunitete, në Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Presidenca përmes rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se presidentja Osmani bëri thirrje për bashkëpunim edhe më të ngushtë, në radhë të parë të natyrës institucionale, ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, e pastaj ndërmjet popullit shqiptar dhe atij boshnjak, për projekte të përbashkëta dhe shkëmbime në fushën e arsimit dhe kulturës.
Presidentja, po ashtu, theksoi se është e nevojshme të zbatohen të gjitha parimet e nënshkruara në marrëveshjet e Procesit të Berlinit, duke filluar nga liria e lëvizjes.