Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njofton se ka mirëpritur Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në zyrën e FIFA-s në Paris.
Presidenti i FIFA-s, përmes Instagramit shprehet se edhe më parë ka pasur nderin ta takojë Dr. Osmanin gjatë vizitës së tij në vendin e saj të bukur në vitin 2022, dhe se kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të vazhduar ato diskutime.
“Ne folëm sesi futbolli mund t’i bashkojë njerëzit dhe diskutuam plane për të vazhduar përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, e cila do të mbështesë lojtarët e rinj të talentuar të vendit në realizimin e potencialit të tyre”.
“Federata e Futbollit të Kosovës e ka shfrytëzuar shkëlqyeshëm programin FIFA Forward dhe Dr Osmani e kupton qartë rëndësinë e mbështetjes së qeverisë në zhvillimin e futbollit për t’u ofruar më shumë mundësi vajzave dhe djemve për të luajtur sportin tonë të mrekullueshëm”, theksoi Infantino në postimin e tij.
Tutje ai shtoi se i uroi fat presidentes sonë dhe se i ka thënë që qeveria e saj dhe FFK mund të llogarisin gjithmonë në mbështetjen e FIFA-s për zhvillimin e futbollit.