Rritja e çmimeve ka rënduar tash e sa kohë jetesën dhe mirëqenien e qytetarëve. Bazuar në trendet globale, ekspertët e ekonomisë presin që në pjesën e dytë të këtij viti, të ketë një normalizim të tregut në Evropë e rrjedhimisht edhe në Kosovë.
Ngjarjet e njëpasnjëshme që solli pandemia Covid 19 dhe lufta në Ukrainë, kanë bërë që kriza ekonomike globale të rritet si rrallëherë më parë në histori. Në mesin e shumë pasojave këto kriza sollën edhe ngritjen e inflacionit. Indiferente nuk mbeti as Kosova, ku inflacioni pati shkuar deri në mbi 14%.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, pret që në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti të ketë një stabilitet të situatës ekonomike në këtë drejtim.
Profesori i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, po ashtu thotë se ka sinjale që brenda pak muajsh do të arrihet një stabilitet ekonomik.
Pavarësisht këtyre pritjeve, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me një trend të vazhdueshëm të rritjes së çmimeve. Së fundmi, është rritur edhe çmimi i energjisë për 15.4 për qind çka mund të sjell një rritje të re zingjirore të çmimeve.