Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se më 3 maj 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, për kontratën me kompaninë “Paykos”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se Mustafa akuzohet për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
“Pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 3 maj 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 dhe 1.5 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës thuhet se Mustafa dyshohet se i ka shkaktuar dëm Telekomit në vlerë afro 7 milionë euro, duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes.