Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas referimit të bërë nga Policia e Shtetit, për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
Një ditë më parë, Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit Tirana, tha se do të kërkonte një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për “shkeljet dhe korrupsionin 20-vjeçar” të Armand Dukës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Burime nga Bashkia e Tiranës konfirmojnë se, prej dy javësh, një skuadër juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë po asistojnë aksionerin e futbollit të klubit të Tiranës në një dosje voluminoze shkeljesh.
Sipas burimeve, agjentët e DEA me qendër rajonale në Athinë – agjencia amerikane e antidrogës, do të prezantohen me të gjitha provat e parave të drogës në sport, me dijeni e mbështetje të Armando Dukës me elemente të botës së krimit në Shijak e vende të tjera të Europës e Amerikës Latine. Gjithashtu, ai ka mjaft asete të pajustifikuara ndërsa një sërë veprash penale për të drejtat e transmetimit, pastrimin e parave, apo kontratat e paligjshme në konflikt interesi të marketingut në futboll të kompanive të Dukës do të shkojnë për evazion fiskal.
Bashkia e Tiranës, si aksioner i FK Tiranës, do t’i përcjellë dosjen e plotë edhe Ambasadave Amerikane e Britanike në Shqipëri, për të kërkuar revokimin e vizave të familjes Duka, si minues përsëritës së demokracisë në futbollin shqiptar dhe të dyshuar në një sërë veprash penale.
Federata Shqiptare e Futbollit e quajti “fletërrufe” kërkesën e Bashkisë dhe përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme për presidentin e federatës, që mbahen më 2 mars.