Serbia u armatos si shtet dhe u radikalizua, u rusizua dhe u militarizua si shoqëri. Serbia nuk i ka ndërprerë lidhjet dhe bashkëpunimin e saj të thellë me Rusinë, as nuk do ta bëjë këtë, dhe është në gjendje të përfitojë nga një plejadë e favorshme gjeopolitike në të cilën Rusia do të ishte në një pozicion për të mbështetur aventurat e ardhshme secesioniste pan-serbe, madje edhe të armatosura në rajon, thotë Srgjan Shushnica”, avokat, kulturolog dhe publicist nga Banja Luka.
Susnjica si njohës i shkëlqyeshëm i çështjeve politike dhe të sigurisë, veçanërisht i ndikimeve të jashtme malinje në rajon, merret me hulumtime kulturore për tema boshnjake dhe ballkanike, shkrim dhe aktivizëm shoqëror kundër kulturës së harresës, revizionizmit historik, nacionalizmit dhe fashizmit.
Susnjica thekson se Serbia, në raport me fqinjët e saj, veçanërisht me Kosovën, vepron nga pozita e dhunës dhe provokimit konstant të krizave, dhe më pas u ofrohet akterëve perëndimorë si një ndërmjetës dhe akter gjoja konstruktiv dhe paqësor.
“Është pozicion i shantazhuesit, jo i paqebërësit. Analistët dhe akterët që barazojnë politikën e Beogradit dhe Prishtinës, dhe barazojnë nacionalizmat, janë të ndikuar edhe nga historia edhe nga politika dhe nuk duan të shohin se të gjitha krizat e brendshme në Kosovë e kanë origjinën nga Beogradi”.
Beogradi, thekson ai, thjesht ka rrëmbyer jetën e serbëve të Kosovës, i ka izoluar ata nga normaliteti, duke përhapur frikë ekzistenciale, psikozë lufte dhe një ndjenjë vulnerabiliteti mes tyre.
“Ata janë pronë e Beogradit politik, i ka bërë skllevër të tij politikë, siç ka bërë dikur me serbët e Dalmacisë, Sllavonisë, Banisë dhe sot punon me serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në 10 vitet e fundit, nënvizon bashkëbiseduesi i Geopost, Beogradi ka zhvilluar një kapacitet të fortë shantazhi ndaj Perëndimit.
“Ai forcoi sigurinë, propagandën dhe praninë ekonomike ruse në Serbi dhe Republika Srpska dhe mbështet regjimin pro-rus të Milorad Dodik në aktivitetet e tij antikushtetuese, secesioniste dhe parashtetërore”.
Sipas Shushnicës, është e qartë për të gjithë në Perëndim, por askush nuk do të thotë me zë të lartë se Beogradi nuk po vepron me mirëbesim në procesin e Brukselit.
I pyetur pse është kështu, ai thotë se “Beogradi asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm, as tani dhe as nuk do të jetë i gatshëm ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur. Serbia nuk dëshiron normalizim esencial, por përpiqet të marrë leva efektive të ndikimit në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës në kuadër të procesit të Brukselit, meqë nuk mund t’i shmanget, ose më saktë, mjetet për të vazhduar ndikimin e saj malinj dhe destabilizues në kushtet e brendshme politike të atij vendi.