Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për rialokimin e 320,428.00€ për zbatimin e Programit “Masat preventive – intervenime emergjente” nëpër komuna të ndryshme.
Po ashtu Qeveria, sipas njoftimit, ka miratuar vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme, të konfiskuar me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PKR Nr. 1046/16, në shfrytëzim për Odën e Ndërmjetësuesve të Kosovës.
“Qeveria ka aprovuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të Ujërave të zeza në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.