21 pacientë që vuajnë nga Dializa, në komunën e Vushtrrisë po marrin shërbime mjekësore në forma të ndryshme, por jo adekuate. Kjo pasi QKMF në këtë komunë, që nga qershori i vitit të kaluar nuk posedon një Autoambulancë për këta pacientë. Nga Komuna thonë se janë në fazën e finalizimit të tenderimit.
Në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, shërbime marrin edhe 21 pacientë që vuajnë nga Dializa.
Por, tash e sa muaj ata po përballen me mungesën e një Autoambulance e cila është adekuate për ta.
Drejtoresha e QKMF-së, në këtë komunë thotë se këto rrethana po ua vështirësojnë punën, megjithëse janë munduar që në forma të ndryshme t’iu përgjigjen kërkesave të pacientëve.
Megjithatë, drejtoresha e QKMF-së, shpreson se së shpejti do të mund të bëhet zgjidhja e duhur.
Nga ana tjetër, drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Nexhmedin Rashica thotë se procedura e inicimit për Autoambulancë është bërë në qershorin e vitit të kaluar, andaj edhe janë në pritje të finalizimit të tenderit.
E Qendra e Mjekësisë Familjare në këtë komunë, përveç mungesës së Autoambulancës, në periudhën e fundit të vitit që lam pas është përballur dukshëm edhe me mungesë të barnave nga Lista Esenciale.
Kronika e realizuar nga Tëvë 1.