Kosova sot ka udhëtuar dhe është akomoduar në Volos të Greqisë, aty ku të dielën, do të luajnë ndeshjen e katërt dhe të fundit për këtë muaj në Ligën e Kombeve, kundër Greqisë.
Para ndeshjes së nesërme, selektori Alain Giresse së bashku me Milot Rashicën po mban konferencë për media.
Rashica, para ndeshjes tha se ndeshja do të jetë e vështirë, por do ta japin maksimumin.
“Jemi të përgatitur dhe do të japim maksimumin për të fituar këtë ndeshje.
“Nesër ka me qenë ndeshje shumë e vështirë, jemi të vetëdijshëm për kundërshtarin. Do ta përdorim motivin pasi fituam ndaj Irlandës” – vazhdoi tutje Rashica.
Ylli i Norëich Cityt, paraqitjen ndaj Irlandës e vlerësoi si më të mirën e tij në “Fadil Vokrri”
“Tu e pa rëndësinë e ndeshjes, dhe kontributin tim për golin mendoj që paraqitja ndaj Irlandës ka qenë më e mira në Fadil Vokrri” – tha Rashica, përcjell Insajderi.
Kujtojmë se, Kosova në këtë ndeshje të rëndësishme do të jetë pa shërbimet e Edon Zhegrovës, Ibrahim Dresevicit, Betim Fazlijit, Lirim Kastratit dhe Benjamin Kolollit.
Ndeshja zhvillohet të dielën nga ora 20:45