Në komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe(Mitrovicë e veriut, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillug dhe Partesh), janë regjistruar 33 raste të reja me koronavirus, sipas një raporti të publikuar më 9 dhjetor. Ndërkaq, numri i rasteve aktive është 508, transmeton KosovaPost.
Komunat me shumicë serbe nuk publikojnë rregullisht raporte lidhur me gjendjen epidemiologjike, por ato publikohen çdo dy apo tri ditë.
Në raportin e fundit i cili u publikua me 9 dhjetor nuk u raportua për ndonjë viktimë nga COVID-19.
Në raportin e 7 dhjetorit të komunave me shumicë serbe, ishin raportuar dy viktima dhe 42 raste të reja me koronavirus.
Institucionet shëndetësore në komunat e banuara me shumicë serbe funksionojnë në kuadër të sistemit shëndetësor serb, dhe raportet për gjendjen epidemiologjike publikohen nga organi i përkohshëm në Mitrovicën e Veriut, që financohet nga Beogradi.
Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës po raporton për numër të ulët të rasteve të reja me koronavirus. Gjatë 8 dhjetorit, kjo ministri raportoi për dhjetë raste të reja dhe 319 raste aktive me koronavirus.