Zafir Berisha, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate, thotë se nuk është në dijeni se ndaj tij është ngritur aktakuzë për kanosje ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Berisha lidhur me akuzën se ka kanosur përmes telefonit kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se këtë të fundit shpesh e ka parë duke bërë xhiro në qytet.
“M’fal po nga ju po e dëgjoj këtë lajm. Nuk e di që Shaqa është i kërcënuar, sepse shpesh e shoh duke be xhiro me bicikletë nëpër Prizren! Me që jam në male deri ka fundi gushtit, kur zbres në qytet ndoshta informohem për këtë top lajm”, ka thënë Berisha, për “Betimi për Drejtësi”.
Berisha po akuzohet se përmes telefonit më 23 qershor 2022 për shkaqe politike, i ka dërguar sms me tekst, kryetarit Totaj me përmbajtjen “Do gjëra është dasht me koh mi sqaru jo tash mu sjell “ kalova lumin …. spom duhet kali”, se jeta është me e gjate se sa pe llogarit”, duke vazhduar me të njëjtën mënyrë edhe ditën pasuese, ashtu që tek i dëmtuari Totaj ka shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 18 korrik 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 18 korrik 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Zafir Berisha për veprën penale të “Kanosjes”.