Asnjëra prej tyre nuk mban produkte serbe në stok.
Megjithëse produktet serbe vazhdojnë të shiten në Kosovë, numri i bizneseve që nuk shesin produkte që prodhohen në këtë shtet është i madh.
“I kemi mbi 36 firma të ndryshme, profesione të ndryshme që janë në shitje direkte dhe nuk kanë produkte serbe. Kurse fabrikat nuk i kemi futë në këtë listë se përndryshe fabrika ka shumë më shumë”, deklaroi Burim Piraj, ideator i fushatës “Mos bli prodhime serbe”.
Por shqetësimet e konsumatorëve për rritjen e çmimeve të produkteve vendore kanë aktivizuar bizneset në Kosovë.
Kështu, krahas fushatës ‘’Mos bli prodhime serbe’’, bizneset vendore po e sfidojnë njëra tjetrën për të publikuar çmimet e produkteve të tyre dhe ato simotra të importuara.
“Unë i kam publikuar fillimisht produktet e kompanisë sime duke i bërë tag dy firma të tjera, ata e kanë borxh t’i bëjnë dy tjera, secili do t’i bëjë nga dy firma që t’i pasqyrojmë të gjitha produktet kosovare t’u tregojmë konsumatorëve se nuk është ajo e vërtetë”, shtoi Piraj.
Pavarësisht kësaj, thirrjet për të konsumuar prodhime vendore po rezultojnë pozitivisht sipas Aleancës së Bizneseve.
“Kërkesat e Aleancës së Biznesit nga 2002 e këndej që të konsumojë prodhim vendi dita ditës po bëhet realitet. Dhe kjo po ndikon pozitivisht në rritjen e brendshme të konsumit dhe kjo është një synim i mirë. Sa i përket produkteve nga Serbia ato janë në treg dhe do të mbesin në treg edhe më tutje për arsye se qytetarët janë mësuar t’i konsumojnë ato produkte”, tha kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, periudha janar- prill 2023 në krahasim me atë të vitit të kaluar shënon rënie të importit nga Serbia me rreth 4 për qind, përkatësisht nga 191 milionë në 176 milionë kg sasi.