Zgjedhja e Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, ka bërë jehonë edhe në mediat e rajonit, por edhe ato ndërkombëtare – shkruan Kosova Post.
Ndërsa mediat në Beograd janë provokuar nga fjalimi i saj pas zgjedhjes, mediat ndërkombëtare kanë qenë korrekte në raportim.
Agjencia e njohur e lajmeve “Reuters”, ia ka kushtuar një artikull të zgjeruar procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Parlamenti i Kosovës ka emëruar një profesoreshë juridike, njëherësh kandidate e partisë në qeveri, Lëvizjes Vetëvendosje, 38 vjeçaren e arsimuar në SHBA, si presidente e re e vendit, pas zgjedhjeve në shkurt” – thuhet në hyrje të artikullit të Reuters.
Artikulli u kushton vëmendje edhe zërave opozitarë, të cilët e kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje, meqë tri pozitat më të larta të shtetit, tash i udhëheqë ajo:
“Partitë e opozitës dhe mbikëqyrësit e shoqërisë civile kanë kritikuar emërimin e saj, duke thënë se të kesh një president, kryeministër dhe kryetar të parlamentit të gjithë nga e njëjta parti nuk është e mirëpritur në një vend me një demokraci të brishtë.”
Në Al Jazeera, ndërkaq theksohet fakti që ajo i grumbulloi 71 vota, nga një parlament që i posedon 120 ulëse.
“Parlamenti me 120 vende i dha 71 vota Osmanit mes një bojkoti të opozitës, duke e bërë atë presidenten e dytë femër të Kosovës.”
Më tej artikulli vë në spikamë karakterin e guximshëm të Presidentes Osmani, me këta rreshta:
“Media lokale e ka përshkruar Osmanin si “të patrembur” pasi ajo ishte ndër të parat që foli me guxim për elitën e korruptuar në pushtet – jo e lehtë duke pasur parasysh respektin që ata fituan nga rolet e tyre të luftës.
‘Osmani ka rrëmbyer zemrat e shumë qytetarëve të Kosovës, pasi ajo është karizmatike, e sigurt dhe një model i shekullit të 21-të për gratë’”.
Të dy artikujt e këtyre dy mediave prestigjioze, nuk e shmangin kontekstin politik në të cilin Osmani u fuqizua në skenë.
Vjosa Osmani është zgjedhur presidente për një mandat të plotë pesë vjeçar./KosovaPost/