Kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiq, tha se propozimi i rezolutës për Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës në Kombet e Bashkuara është një siç e quajti ajo “farsë”.
Ajo për TV Pink deklaroi se “kurrë nuk ka qenë aq e shqetësuar për paqen në Ballkan”.
“I ftoj të gjithë nga Bashkimi Evropian (BE) të pyesin veten se si do të duket Bosnja dhe Hercegovina pas votimit të rezolutës. A do të jetë një vend më paqësor, më i qëndrueshëm, ku ka mirëkuptim më të madh mes boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, apo më i paqëndrueshëm ku duhet një incident për t’i vënë flakën gjithçkaje. E kush e bëri, para së gjithash Gjermania, pastaj të gjithë ata nga BE-ja dhe të gjithë ata që do të votojnë për këtë lloj rezolute”, shtoi Bërnabiq, transmeton Klankosova.tv. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së sot do të votojë për Rezolutën për Srebrenicën, të propozuar nga Gjermania dhe Ruanda.