Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke folur për suksesin e ndërmarrjeve publike në Kosovë, ka thënë se Telekomi i Kosovës është ndërmarrja që është rikthyer më së miri me profit në vitet e fundit, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Rizvanolli, e cila raportoi para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovës, tha se rikthimi i profitit të Telekomit vjen nga faktori kyç i cili është stafi i brendshëm i kësaj ndërmarrje, me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.
“Sa i përket disa prej ndërmarrjeve që kanë bërë kapërcime të mëdha, Telekomi i Kosovës, definitivisht është një prej tyre, do të thosha i pari dhe më i suksesshmi në këtë aspekt. E ka filluar ristrukturimin i pari, ka filluar investime serioze që janë duke shkuar mirë, në modernizim të rrjetit, në ndërrimin e kodit në 383, në zgjerimin e rrjetit, tani së fundmi ka shpallur tenderin e shtrirjes së kabllit e rrjetit optik në gjithë Kosovën që do të mundësojë që të gjithë të kenë qasje në operatorin kabllor të Telekomit”, theksoi Rizvanolli.
Në komisionin parlamentar, u tha se Telekomi pati humbje prej 51 milionëve në vitin 2016, ndërsa viti 2023 në këtë ndërmarrje është mbyllur me rreth 6 milionë euro fitim.
Rizvanolli po ashtu përmendi edhe një tjetër ndërmarrje shtetërore e cila është rikthyer me profite në vitet e fundit.
“Tek Ibër Lepenci pastaj kemi një ndërmarrje që ndër vite ka pasur humbje rreth 2-3 milionë, përderisa për herë të parë pas vitit 2008 ka pasur fitim gjatë vitit të kaluar. Këtu kyç ka qenë menaxhimi i shitjes elektrike deri në vitin 2021 dhe një pjesë në vitin 2022”, theksoi Rizvanolli.
Po ashtu, ministrja kosovare e Ekonomisë tha se tek të gjitha kompanitë rajonale të ujësjellësit ka pasur rritje të faturimit dhe inkasimit.
Ministrja Rizvanolli tha se për vitin 2023 pritshmëria për profit nga ndërmarrjet publike është rreth 10 milionë euro, por kjo do të zbulohet sapo të dalin raportet më të detajuara të auditimit për ndërmarrjet publike.