Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se ka vizituar dy minatorët e lënduar në minierën e Trepçës, ndërsa theksoi se qeveria është e gatshme për t’i ndihmuar që të trajtohen mirë, përcjell KosovaPost.
“Në Spitalin e Mitrovicës, së bashku me anëtarët e Bordit të ndërmarrjes, vizitova Ramadanin e Nysretin, dy minatorët e lënduar në aksidentin e pasdites së sotme në minierën e Trepçës. Përkundër lëndimeve të syve, ata kishin vullnetin e vendosmërinë për t’a tejkaluar këtë sfidë e për t’iu rikthyer punës”, shkroi ajo.
“Gjithashtu pamë nga afër përkujdesjen profesionale e të ngrohtë të Doktoreshës së ndërrimit, Mimoza Shabani, dhe infermiereve të Spitalit të Mitrovicës, dhe i njoftuam të lënduarit dhe stafin mjekësor se Qeveria e RKS është në dispozicion për çdo përkrahje të nevojshme për t’u siguruar që minatorët marrin trajtimin më të mirë të mundshëm”, shtoi Rizvanolli në Facebook.
Ajo tutje falënderoi stafin mjekësor të Spitalit të Mitrovicës për kujdesin për të lënduarit të cilëve iu uroi shërim të shpejtë dhe të plotë.