Pesë anëtarë të stafit të Kombeve të Bashkuara u rrëmbyen në Jemenin jugor, teksa ktheheshin në qytetin e Adenit pas një misioni në terren, njoftuan sot Kombet e Bashkuara. Stafi u rrëmbye të premten në provincën Abyan, tha një zëdhënës i zyrtarit më të lartë të Kombeve të Bashkuara në Jemen, përcjell KosovaPost.
“Kombet e Bashkuara janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për të siguruar lirimin e tyre”, tha një zëdhënës i OKB-së në Jemen. Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit ka qenë në Aden që nga viti 2014, kur rebelët Houthi i dëbuan ata nga kryeqyteti Sanaa.
Konflikti në Jemen u përshkallëzua në vitin 2015, kur një koalicion i shteteve arabe të udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një operacion ushtarak kundër Hutuve, të cilët mbështeten nga Irani.
Dhjetëra mijëra njerëz vdiqën në këto beteja dhe u shkaktua një katastrofë e tmerrshme humanitare, me miliona njerëz në prag të urisë, sipas Reuters.