Raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Europian, u mbyll pa sukses, por jo edhe pa mesazhe të qarta në kohën kur Ballkani po kutërbon aromë Rusie. Pse?!
Shkruan: Agim POPOCI
Demonstrimi i shtetit dhe forcës që ka në Kosovë ose, më saktë, në Veri, për shumë herë u bë temë e debatit ndër shqiptarë jo për zgjidhjen, por për tensionet që u krijuan me altoparlantin e zi mbi kokë Rusinë. Kështu, edhe raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Europian, kishte si shqetësim kryesor 1 shtatorin, ditën kur do të fillojë zbatimi i vendimit të qeverisë për targat dhe dokumentet e Kosovës, e ku priten dhe tensione ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, shtuar tashmë dhe në dozë më të madhe Rusie!
Nuk dihet se si e ka menduar Kryeministri Albin Kurti zbatimin e kësaj marrëveshje, por gjithçka që u zhvillua deri më tani në terren dhe Bruksel gjatë raundit të dytë të bisedimeve nuk ishte asgjë më shumë se populizëm, duke përfshirë këtu dhe arrestimin e agjentes ruse në tokën kosovare.
Për fillim, meqë nuk ka shumë debat lidhur me këtë çështje, duke pranuar në masë kërcënimin rus, shteti i Kosovës dhe shërbimi i saj sekret AKI, aty ku operojnë mbi 60 shërbime sekrete nuk ka arsye të shpenzojë energji për të kontrolluar veprimin e shërbimit sekret rus, aq më shumë të shesë “suksese” që arriti shërbimi i tij.
Pavarësisht bombardimit mediatik që i është bërë opinionit kosovar dhe jo vetëm, shqiptarët duhet ta kenë të qartë se në rast të një plani rus për të futur hundët në Ballkan, terreni i vetëm dhe adekuat për konflikt është Bosnjë e Hercegovina.
E, nëse AKI-ja vërtet funksionon, ajo nuk duhet të shpenzojë kohë dhe energji për të parandaluar Rusinë por “Srebrenicën II”. Sepse, për vijimësinë e dialogut Kosovë-Serbi, detyrë primare e AKI-së është që të mbledhë sa më shumë informacione nëse shteti i cili në grahmat e tij të fundit po mundohet t’i tregojë serbëve se sa po mundohet ta ruajë tokën kosovare dhe ka një plan daljeje nga kjo histori, plan i cili mund të finalizohet edhe me aktin e tij të fundit kriminal me skenar nga Srebrenica, një betejë dhe krim gjatë një fundjave që do të ishte beteja serbe në Kosovë, e cila nuk do të linte kohë dhe mundësi për t’u kundërpërgjigjur nga forcat ndërkombëtare.
“Srebrenica II”
Deri më sot shqiptarët nga veriu i Mitrovicës ngelën më të vuajturit dhe therorësia më e madhe e shtetësisë së Kosovës, që për 23 vjet dëgjuan vetëm ditë dhe afate se kur do të çlirohet kjo pjesë e vendit dhe kur do të kthehen në shtëpitë e tyre.
Pikat e Marrëveshjes ose kërkesave të Albin Kurtit, që i bëri publike Aleksandar Vuçiqi dhe i konfirmoi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si kapituj, e bënë situatën më serioze për shkak të populizmit që shitet me këtë dialog, ndërsa serioziteti nuk është as në horizont.
Gjithë këtë situatë e bën më shqetësuese fati i shqiptarëve në veri të Mitrovicës, që janë të ndërgjegjshëm për prezencën e KFOR-it, por, gjithashtu, janë të ndërgjegjshëm se në çfarë rrethana ndodhi edhe Masakra e Srebrenicës dhe nuk ka arsye të mos përsëritet nga kriminelët serbë kur President i Serbisë është i ngjashmi i tyre, Aleksandar Vuçiq!
Nëse ndodhë një operacion i tillë kriminal nga forcat ushtarako-policore të Aleksandar Vuçiqit gjatë një fundjave, ndërsa është e qartë se nuk do të vriten 8.000 shqiptarë, kujt do t’i vlejnë targat dhe dokumentet kosovare të serbëve nëse humbin jetën qoftë dhe 8 shqiptarë!
Dhe, kjo, nuk thuhet që të mos zbatohet ligji dhe ndërpritet dialogu, por që operacione të tilla dhe dialogu me Serbinë të mos përdoret për mbajtjen e pushtetit, që fatkeqësisht po ndodhë edhe me pushtetin aktual; Ndërkohë, shteti i Kosovës vazhdon dhe paguan forca të sigurisë si AKI-js që nuk e kanë kuptuar as sot detyrën funksionale që kanë, por merren me rivalë politikë të atyre që i kanë punësuar!
“Dasmë pa mish” do thonë ca kuazipatriotë që janë strehuar në Prishtinë, nuk ka! Po, por nuk thuhet se kush janë ata që i japin ftesat për këtë dasmë. Apo, pse këto ftesa nuk i shpërndajnë ata që e sakrifikojnë mishin, por duhet të jenë gjithmonë vetëm varrmihës.
Nuk ka shqiptarë në Mitrovicë që nuk e mbështet një aksion policor i cili do t’i shkonte deri në fund krimit dhe kontrabandës në Veri. Por, Albin Kurti me AKI-në e tij, para se ta nisë një aksion të këtij lloji, le t’i bëjë publik emrat e homologëve shqiptarë, që këta kriminel serbë kanë në jug dhe të marrë masa ndaj tyre, e më pas të niset me këmbë të mbarë drejtë Leposaviçit dhe Zubin Potokut, aty ku kontrabanda bëhet me kamionë dhe malli përfundon në jug të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës.
Dhe, derisa shpenzon djersë kot për Rusinë, AKI-ja le të merret me rrezikun që e kanos Kosovën në ditët e fundit të dialogut, një masakër policoro-ushtarake serbe. Zyrtarët e AKI-së Disa herë janë shprehur se nuk ka resurse në veri, sepse është e vështirë të gjenden, por rastet e Malit Zi, Bosnjës e madje edhe Kroacisë dëshmojnë se sa i paaftë është ky shërbim. Nuk gjen dot informator ndërkohë që institucionet e Kosovës presin informacione për serbët në veri nga AKI-ja.
Por, ky shërbim informativ i Kosovës duhet ta dijë se Vuçiqi, përveçse është i vetëdijshëm se nuk mund të kthehet Serbia në Kosovë, atij i duhet një plan i tërheqjes pas betejës së fundit që mund ta luajë, për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, që normalisht nuk mund të shpëtojë pa viktima, që edhe në këtë rast do të jenë shqiptarë nga Mitrovica!
Të gjithë ata që shohin ëndrra me mbështetjen që ka Serbia nga Rusia, gabohen rëndë. Serbisë nuk i mungon mbështetja as ndër radhët e BE-së dhe për këtë arsye Kosova duhet të jetë me dëshmi dhe plan konkret për Kosovën.
Kërkesa populiste
Askush nuk Kosovë nuk u shqetësua kur ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Serbia shkoi e përgatitur në raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht dhe në ligjëratë të drejtë e specifikoi: “…pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika,” tha ambasadori Hill, pa dyshim njëri ndër njohësit më të mirë të zhvillimeve shqiptare në Ballkan.
Është e vërtetë se dialogu Kosovë-Serbi, që u zhvillua deri më sot, vetëm sa e ka komplikuar dialogun që e kryeson kryeministri Albin Kurti me Serbinë, por tashmë është e qartë se ajo që thotë Christopher Hill-i është e vërtetë dhe Kurti po e komplikon këtë dialog sa ai dhe pasardhësit e tij mund ta kenë edhe më të vështirë rrugëzgjidhjen!
Kërkesat që Albin Kurti i ka parashtruar në Bruksel në raundin e dytë më shumë u ngjajnë kërkesave të shkruara në një faqe gazete duke pritur autobusin sesa kërkesa të një Kryeministri që po dialogon për njohjen nga shteti që është shkëputur! Ti thuash Serbisë se unë do të pranoj nëse t’i më pranon ose, siç thuhet, zyrtarisht “njohje reciproke”, është një idiotizëm par exellence, që vetëm Albin Kurti nuk guxon ta nxjerrë nga goja!
Serbia është shtet i pranuar nga OKB-ja dhe nuk e ha meraku nëse e pranon Kosova apo jo. Dhe, këtu Kurti nuk ka arsye të shesë populizëm. E nëse me patjetër në marrëveshje duhet të theksohet një zotim i Serbisë në lidhje me njohjen, atëherë mjafton që Serbia të mos e pengojë njohjen nga OKB-ja.
Të zhdukurit është një çështje emergjente dhe ajo duhet të iniciohet në çdo takim, ndërsa shkatërrimi i pronës private dhe publike, reparacioni dhe bashkëpunimi, janë çështje që do të zgjidhen me normalizimin e marrëdhënieve, sepse nuk ka lider në botë që i merr përsipër gjithë ato detyrime financiare. Me përjashtim të ndërmjetësve dhe fuqive të mëdha, që detyrimisht edhe në këtë rast do të shpikin ndonjë “marshall”! Dhe, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ngjashëm me ato që kanë serbët në Kosovë!
Sot nuk ka shqiptarë në Kosovë, në veçanti në Veri. që nuk i dëshiron këto të drejta për shqiptarët në Luginë, por një kërkesë e tillë, e dalë nga goja e kryeministrit Albin Kurti, për t’u përfshirë në marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë tregon se Kurti nuk ka kuptuar asgjë nga Plani i Ahtisarit, në veçanti premtimet shumë të dhimbshme që i ka pranuar Kosova me këtë plan, që e ka bërë Kosovën, përveçse ta shpallë pavarësinë, edhe shtet jofunksional!
Plani i Ahtisarit dhe Asociacioni
Të drejtat e serbëve në Kosovë, siç i ka kopsitur Presidenti Ahtisari, jo që Serbia nuk do t’i pranojë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por asnjë shtet në botë nuk i pranon për asnjë pakicë, qoftë ajo edhe Finlanda, nga vjen hartuesi i këtij plani, që mundësoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mospranimi që i bënë Beogradi dhe serbët këtij plani tregon se sa të trashë dhe destruktivë që janë. Ndryshe, sot, pas 14 vjet pavarësie, do të ishin shqiptarët ata që do të lusnin serbët për çdo gjë në këtë botë, pavarësisht lëvizjeve gjeostrategjike, luftës në Ukrainë ose degradimit të politikës së jashtme të Rusisë. Meqë nuk ndodhi kjo, meqë Asociacioni është tashmë detyrim ndërkombëtar dhe bëhet presion për ta themeluar, janë pikërisht dispozitat e Planit të Ahtisarit që i ndihmojnë Albin Kurtit ta gjejë zgjidhjen e kësaj barre të mbartur nga paraardhësit e tij, pa e lodhur kokën me zgjidhjen te Tiroli i Jugut, Belgjika Lindore ose dhe Ishujt Aland, duke mos e përsëritur refrenin e lodhshëm “Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive”, që e thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe “të themelohet si OJQ!”.
Fillimisht duhet hedhur poshtë këto idiotizma me Tirol, sepse asnjëra prek këtyre rasteve nuk e ka kopjuar zgjidhjen për tjetrën dhe rasti i Kosovës me të drejtat që i parashikon Plani i Ahtisarit për serbët është i pazbatueshëm në të gjitha rastet! Për këtë dhe shumë arsye, nëse do të gjejmë zgjidhjen për Asociacionin, meqë Serbia nuk i njeh kompromiset e dhimbshme në këtë drejtim që ka bërë Kosova për ta pranuar Planin e Ahtisarit, atëherë është mirë të fillohet nga pika zero e të gjitha të drejtave të serbëve në Kosovë! Kështu, Asociacioni nuk do të kishte kuptim, sepse vetëm Leposaviçi do të ngelej si komunë me shumicë serbe, e cila ka ekzistuar edhe në kohën e Millosheviqit, që e donte aq shumë si Kosovën, ashtu dhe Aleksandar Vuçiqin.
Zubin Potoku dhe Zveçani, që ishin njësi lokale të qytetit të Mitrovicës, ishin shpikje të Presidentit Ahtisari, ashtu si Mitrovica Veri, kryetari i së cilës tani edhe kërcënon, do të ishin pakicë në qytetin e Mitrovicës. Ndërkohë Graçanica dhe komunat tjera, që lindën me Planin e Ahtisarit, nuk vlen as të diskutohen, sepse kriminelët e Veriut as që e çajnë kokën për to. Nëse nisemi nga këto kondita, si të fuqive të mëdha, ashtu dhe të patriotit të madh serb, Aleksandar Vuçiq, në vazhdim të dialogut Albin Kurti duhet të jetë prezent për t’i sqaruar këto pika:
- Plani i Ahtisarit është pranuar nga shqiptarët me dhimbje shumë të mëdha!
- Pa shqiptarë, si Zubin Potoku, ashtu edhe Zveçani, nuk do të kenë serbë për të mbushur as nga një kinema, e lëre më të shpallen komuna me shumicë serbe; Leposaviçi, pa fshatrat shqiptare, do të ngelej një rrugë nacionale e shoqëruar me ca shtëpi përreth me kushtin që të mos ndërtohet një autostradë aty, sepse nuk do të ngelte asgjë nga kjo që sot quhet komunë me shumicë serbe, sikur të dialogohet me Serbinë dhe Vuçiqin edhe një shekull!
- Graçanica dhe Shtërpca, që sot funksionojnë si kontinente në Kosovë, pa Planin e Ahtisarit do të ishin zona të banuara më serbë që zvarriten për t’u pajtuar ose për t’i shitur pronat shqiptarëve; Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi, pa Ahtisarin, do të ishin ato fshatra me ata pak pleq që kanë ngelur deri sa t’i shuan natyra pa u shqetësuar për Kushtetutë, njohje nga Serbia, mbrojtje nga Rusia ose broçkulla të Kishës Serbe të Abazoviqit!
- Novobërda, ky vend me aq shumë kriminelë të Millosheviqit, ndoshta do të binte në qetësi në momentin kur Plani i Ahtisarit do të zhdukte nga faqja e dheut të drejtat që kanë me idenë se do të negociohen, sepse çdo minutë do të ishte shumë për natën që do kalonin në vendin e krimit!
- Shefi i Policisë në komunat me shumicë serbe, pa Planin e Ahtisarit, mund të ishte serb, duke pasur parasysh zemërgjerësinë shqiptare, por kjo gjithsesi nuk do të ishte një e drejtë e garantuar me Kushtetutë!
- Kisha Ortodokse Serbe, për të cilën Presidenti Ahtisari ka shkrirë trutë e dynjasë që ajo të ndjehet komod në shtetin e Kosovës, duke i dhënë dhe një eksterritorialitet që nuk e gëzon asgjëkundi, atëherë statusi i saj në këtë shtet mund të ripërcaktohet nga e para; Nuk ka pse të trajtohet si në Mal të Zi, kur iu shkul një kishë me helikopter, ndërsa ajo tregonte përralla për atë institucion fetar serb, por pa Planin e Ahtisarit nuk ka pse pyetet më një prift fshati për shtëpinë e Isa Boletinit meqë ishte brenda zonës së mbrojtur ose dhe për ndërtimin e rrugës nacionale Deçan-Plavë, kur me shpalljen e objekteve strategjike nuk pyetet as pronari i tokës!
Si do të sqarohet Aleksandar Vuçiq me Kishën Ortodokse të Serbisë vetëm ai e di, por është e qartë se Kosova do të kishte Kishën Autoqefale të Kosovës. Për gjithçka tjetër, vetëm jo ato që i përfshinë Plani i Ahtisarit dhe jo me Asociacion që ka vetëm një komunë me shumicë serbe, pse mos të negociohet, dhe këtë listë të drejtash Kosova mund ta pranojë meqë është e qartë se një shkallë aq të lartë si Presidenti Ahtisari, nuk do ta mendon asnjë serb, sikur dhe Patriarku Sava të çohet nga varri; Ose, pavarësi, që nuk e kanë ndaj Beogradit zyrtar as komunat serbe në Serbi!
Në fund, që mos të konfirmohet ajo që thotë Ambasadori Christopher Hill, Albin Kurti duhet ta ketë asin nën mëngë edhe për themelimin e Asociacionit nëse serbët i pranojnë dokumentet e shtetit të Kosovës me Planin e Ahtisarit edhe me variantin që e tha Vuçiqi për serbët që jetojnë në jug dhe targa të Kosovë: “Ata janë të detyruar të jetojnë!”
Asociacioni mund të jetë një organizëm mbikëqyrës që do të monitorojë të drejtat e serbëve sipas Planit të Ahtisarit, të ardhurat buxhetore që mund të favorizohen për komunat kufitare, dhe një Zv/Kryeministër të veçantë serb të Kosovës, që do të komunikonte me këtë Asociacion e për obligimet e pazbatuara do të lëshonte vendime për ministritë dhe institucionet përkatëse, duke kërkuar vetëm nënshkrimin e Kryeministrit të Kosovës!
Ndërkohë, Ministria për Pakica dhe Komunitete, thjesht, mund të ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që me shumë komoditet do ta kryente një pjesëtar i pakicës si zëvendësministër me stafin e tij! Ose, në fund fare, meqë Albin Kurti është e qartë se nuk ka njerëz në kabinetin e tij, për të mos e lodhë trurin me akte dhe nënakte ligjore, le t’i lejojë serbëve të krijojnë Asociacion sipas Kushtetutës së Serbisë!
Nëse, vërtet, Aleksandar Vuçiqi mendon se nuk është e tepërt që njëlloj Asociacioni i tillë të ketë kompetenca ekzekutive, le ta përfshijë në Kushtetutën e Serbisë pa kursyer asnjë Nen për pakicat, siç e mendon për serbët në Kosovë dhe do ta shohim se çfarë do të bëjë Serbia me Asociacionin e Komunave me Shumicë Shqiptare, Boshnjake, Hungareze, Rumune etj.
Aleksandar Vuçiqi dhe Serbia, merre ose lëre, nuk është çështja, por lexo dhe kupto Planin e Ahtisarit!