Në katër komunat veriore, ka filluar të rritet besimi ndaj Policisë së Kosovës. Qytetarët serbë tashmë po informojnë Policinë për parregullsitë që shohin, derisa vlerësohet se ky bashkëpunim ka arritur të bëjë edhe parandalimin e kontrabandës dhe veprave të tjera kriminale.
Rritet besimi ndaj Policisë së Kosovës në veri, qytetarët serbë nisin t’i informojnë ata për çdo parregullsi
Parregullsitë të cilat po i shohin në terren, po i raportojnë.
Së fundmi, qytetarët e komunitetit serb në komunat veriore, kanë filluar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.
Ata po i lajmërojnë rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, përfshirë edhe rastet e rrahjeve mes grupeve.
E kjo po ndikon pozitivisht në punën e zyrtarëve policorë.
“Për neve me rëndësi është që në rast që ka rrahje në qytet ose prishje të rendit dhe qetësisë publike që janë kundërvajtje ne të merremi me to. Janë shumë raste të tjera të cilat nuk evidentohen fare si vepra penale që ka shumë paraqitje. Me rendësi është që ne të merremi pastaj me to”, tha zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ky bashkëpunim vlerësohet se ka ndikuar edhe në luftimin e kontrabandës.
Këtë e konfirmon edhe kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
“Organet e sigurisë kanë arrit me i identifikua pjesën e madhe do të thotë edhe të korridoreve ilegale, po edhe të personelit të tyre. Një pjesë e madhe e qytetarëve serbë e ka prek besueshmëria te organet e sigurisë”, tha Zeqiri për Tëvë1.
Këtë koordinim po e sheh të duhur edhe njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.
“Tash së fundmi shihet se ky bashkëpunim është i mirëfilltë, sidomos tash kur janë larguar strukturat kriminale, gjegjësisht ekstremistët të cilët ishin pjesë e oligarkisë. Kjo është inkurajuese ngase po fitohet përveç besimit që policia e ka në masë në gjithë Kosovën edhe në pjesën veriore fillon të reflektojë pozitivisht”, tha Ibishi.
Të shtunën, qytetarët serbë në veri të Mitrovicës nuk pranuan të flasin para kamerës, e situata në katër komunat, sipas Policisë vazhdon të mbetet e qetë, por e brishtë.