Rruga në lagjen “Emshir” në Prishtinë është dëmtuar aq shumë, sa që banorët e kësaj lagje thanë për televizionin se po hasin në telashe të mëdha çdo ditë. Mbrapa kamerës ata treguan se kjo rrugë është pronë private e një qytetari, derisa nga komuna nuk kanë kthyer një përgjigje.
Po e kanë të vështirë qarkullimin me vetura në këtë pjesë.
Kjo rrugë e cila është ende e paemëruar, gjendet në lagjen “Emshir” në Prishtinë.
E banorët po ankohen që po u sjell vështirësi të mëdha.
“Këta është dashur të bëjnë planifikimin, çdo kund në botë është planifikimi i rrugëve, pastaj bëhen objektet e tek ne njëherë përfitojnë tek objekti e për rrugë nuk ka rëndësi fare”, tha qytetari Fehmi Bardhi.
Edhe Sara Mehmeti, që banon që 5 vite në këtë lagje, tregon vështirësitë që has çdo ditë në këtë rrugë.
“Vetura nonstop prek nëse ka anën e majtë vetura të parkuar dmth në dy kilometra për orë duhet me vozit. Kjo është mjaft shqetësuese. Ka pas raste kur edhe ambulanca, kemi pasur persona të sëmurë këtu më saktësisht, nana jem mezi që ka hy brenda dmth prej rrugës së prishur dhe kjo pjesa këtu e rregulluar është me iniciativë të vet banorëve”, tha qytetarja Sara Mehmeti.
Ajo madje ndau edhe probleme të tjera që përballen banorët në këtë lagje.
“Jemi këtu që 5 vite, e kemi të njëjtin problem me këtë rrugë dmth përveç se është e shkatrrume deri në nivelin e fundit ka problem edhe me parking. Janë pjesëtarët e fitnesitt këtu që i parkojnë veturat, çdo ditë duhet me telefonu policinë, por deri më sot kemi hasur në vesh të shurdhër”, tha ajo.
Në lidhje me këtë rrugë televizioni ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Komuna e Prishtinës.
Banorët mbrapa kamerës treguan se kjo rrugë është pronë private e një qytetari dhe kërkuan nga Komuna që t’u mundësohet një rrugë tjetër alternative.