Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, gjatë prezantimit rreth përparimeve që, sipas tij, i ka bërë ushtria ruse në drejtim të Ukrainës në prapavijë ka shfaqur një hartë ku Kosova shihet në kufijtë e saj shtetëror dhe si e pavarur nga Serbia.
Përkundër që as Rusia dhe as Serbia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë Kosovën e ka paraqitur si shtet në vete.
Në fjalën e tij, Konashenkov bëri të ditur se forcat ruse kanë marrë nën kontroll të plotë qytetin e Melitopolit.
Sipas tyre, forcat ruse kanë goditur 821 objekte të infrastrukturës ushtarake të Ukrainës, ku janë rrëzuar shtatë avionë luftarakë, shtatë helikopterë, nëntë mjete ajrore pa pilot, 87 tanke, 28 raketahedhës, 118 mjete speciale ushtarake si dhe tetë anije ushtarake të Marinës së Ukrainës.