Rusia ka mbyllur konsullatat e shteteve baltike dhe ka dëbuar diplomatët në një veprim hakmarrës, njoftoi Ministria e Jashtme e vendit të enjten, transmeton KosovaPost.
Në një deklaratë, ministria njoftoi vendimin për mbylljen e konsullatës së Letonisë në Shën Petërsburg dhe Pskov, konsullatës së Estonisë në Shën Petërsburg dhe zyrës së saj në Pskov, dhe konsullatës së Lituanisë në Shën Petërsburg, duke vepruar sipas parimit të reciprocitetit dhe për shkak të ndihmës ushtarake që këto vende i japin Ukrainës.
Ministria tha se të gjithë diplomatët e konsullatës, përfshirë shefat e misioneve, janë shpallur “persona non grata”, duke shtuar se punonjësit e stafit administrativ dhe teknik që nuk janë shtetas të Rusisë janë “të papranueshëm”.
“Ne kërkuam që të gjithë personat e përmendur të largohen nga territori i Federatës Ruse brenda të njëjtit interval kohor që ishte dhënë për largimin e punonjësve të misioneve konsullore ruse nga këto vende”, tha ministria.
Më 5 prill, Letonia mbylli konsullatat ruse në qytetet Liepaja dhe Daugavpils dhe dëboi 13 diplomatë, Estonia mbylli konsullatën ruse në Narva dhe zyrën konsullore ruse në Tartu dhe shpalli 14 shtetas rusë, përfshirë shtatë diplomatë, “persona non grata”. Lituania gjithashtu mbylli konsullatën ruse më 4 prill.
Shtetet baltike e shpjeguan lëvizjen e tyre si shenjë solidariteti me Ukrainën dhe protestë kundër luftës ruso-ukrainase./trt