Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sadri Ramabaja, ka folur për pozitën e shqiptarëve në raportin ndërkombëtar në një intervistë në “Sytë 7” ku tha se raportet e shqiptarëve me fuqitë vendimmarrëse janë relativisht të mira.
Ai tha se Kosova është krah botës së lirë dhe demokracive liberale.
“Në shikim të parë, shqiptarët në shekullin 19 dhe 20 kanë qenë të vonuar, aktualisht duket se kemi hyrë plotësisht në shekullin e shqiptarëve. Raportet e shqiptarëve me fuqitë vendimmarrëse janë relativisht të mira, jemi pozicionuar në krahun e duhur, në familjen euroatlantike, në pjesën perëndimore të cilës kulturalisht dhe politikisht sot i takojmë në masën më të madhe. Kosova është krah botës së lirë, demokracive liberale. Në shekullin 21 ka hyrë e lirë pa pushtuesit serbë, pa pushtuesit e mëhershme të cilët e kanë ndarë dhe copëtuar në shekullin 19 dhe 20”.
“Kam përshtypjen që ne po i rikthejmë aleatët, ishim në rrezik që t’i humbnim sidomos në vitin 2018, kur ne provokonim të luanim prapaskena të cilat mund t’i vënin në pozita të palakmueshme SHBA-të me një pjesë të Evoprës dhe aktualisht jemi në pozicionin që po i rikthejmë këto raporte të mira, pozicioni ynë do të ecë shumë këto vite në krahun e duhur”, tha Ramabaja.
Ndër të tjerash, Ramabaja foli edhe për dokumentet ‘non-papers’ për të cilat tha se kanë dalë nga institucionet politike dhe shkencore të Beogradit dhe Moskës.
“E kam analizuar dokumentin e parë që thuhet se doli nga zyra e kryeministrit të Sllovenisë dhe më pas edhe këtë të dytin që thuhej se doli nga qarqet diplomatike gjermano-franceze që u mohua më pas. Më ka rezultuar që këto ‘non-paper’, kanë dalë nga institucione politike dhe shkencore të Beogradit dhe Moskës, është e vetëkuptueshme arsyeja pse, sepse donin ta rikthenin periudhën e vitit 2018 kur qarqet politike jo vetëm në Kosovë, Prishtinë e Tiranë por edhe gjetkë ishte prezente ideja e ripërkufizimit të kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve siç shprehej presidenti serb, ku fitues do të dilnin Serbia ndërkaq shqiptarët do të ndërmerrnin etiketën e Shqipërisë së madhe. Ky dokumentacion mbetet thjesht si provokim, si test. Pozicionimi është i natyrës së tillë që Kosova hyn në dialog drejt intencës për të kërkuar Pavarësi të plotë, dhe çfarëdo teza tjera mbi tavolinë do ta dëmtonin këtë çështje”, tha ai.