Nga Ilaz Shehu
Samir Mane është sot i fuqishëm ngaqë demokracia në Shqipëri është gjunjëzuar.
Emri i tij është bërë identiteti fatal i një sistemi shtetëror që i është nënshtruar prej kohësh oligarkisë.
S’ka njeri që s’e di këtë gjë; dhe opinioni publik s’ka nevojë të bindet më shumë se shteti në forma të ndryshme është kapur prej tij, pavarësisht se nuk e ka forcën për t’u përgjigjur.
Çështja është se, ata profile me përgjegjësi politike e publike që e shmangin emrin e Samir Manes, qoftë duke e fshehur pas një oligarku tjetër më pak të dëmshëm, qoftë duke thënë se oligarkët e vërtetë janë vetë politikanët, sikundër edhe me taktika të tjera, me dashje ose padashje po e fshehin edhe vetë zemrën e problemit.
E vërteta është se Samir Mane është politikan i pashpallur dhe i pavotuar.
Ai është në gjendje sot të ndërhyjë përmes aparatit shtetëror në reforma fiskale, në çekuilibrimin e ekonomisë prodhuese, në hartimin e ligjeve për vjeljen e pronave publike, në çrregullime e transformime infrastrukturore, sidomos me rrugët që ai i devijon për të çuar flukset e popullsisë në qendrat e tij tregtare; madje edhe për t’i ndërtuar ato rrugë e tunele nga hiçi ekskluzivisht për tek resortet e tij pa pikë shije dhe shkëlqese estetike.
Ngjarja e para disa ditëve me policin që u hodh nga kati i 7-të, veç ka treguar më tej se ai qëndron edhe mbi vetë ministrin e brendshëm, ku ministri përveçse ka injoruar opinionin publik me mostransparencën ndaj publikut, është bërë cinik edhe ndaj çdo forme proteste.
S’ka cënim më të madh për sigurinë kombëtare kur institucioni përgjegjës i rendit nuk jep llogari për barazinë para ligjit.
Protesta është mjeti i vetëm kundër mediakratizimit që i është bërë shoqërisë tonë.
Mjet tjetër për të edukuar një popull, nuk ka, përderisa vetë universiteti dhe shkollat kanë rënë.
Përderisa vetë media s’luan më rol polemizues për zbardhjen e ngjarjeve, por për fshehjen e tyre.
Prandaj është shumë e rëndësishme që institucioni i protestës të mos korruptohet dhe prej aty të thuhen të vertetat që duhen thënë.
E vërteta në këtë rast ka një emër.
Ftoj të gjithë miqtë e bashkëaktivistët që t’i vijojnë protestat dhe të marrin pjesë edhe sot, më 25 janar, ora 17:00, pranë ministrisë së brendshme.
Sado të vogla qofshin këto protesta, sado pak njerëz të marrin pjesë, ndarazi ose të bashkuar, kjo s’ka më rëndësi.
Ata njerëz duhen mbështetur dhe duhen menduar si populli i së nesërmes. Përndryshe, në të ardhmen, s’do jemi më veçse një popull i munguar.