SBASHK-u mësimdhënësve: Mos nënshkruani ndryshimet e Kontratës së punës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), thotë se kohëve të fundit  po qarkullon një version i ri i Kontratës së punës për sektorin e arsimit.

Sipas SBASHK-ut ky version është kopje e keqe e një versioni të Kontratës së punës, është shumë më i dëmshëm dhe shumë më i keq se sa Kontrata ekzistuese e punës, që e kanë  punëtorët arsimor.

“Ky version, që po qarkullon,  bie në kundërshtim edhe me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it, nr. 10/2015 për  Kontratën e Punës për Mësimdhënës të Arsimit  Parauniversitar. Ky version i shpërndarë  ka shumë të meta dhe është i dëmshëm për punëtorët e arsimit ngase cenon të drejtat e fituara e po ashtu nuk specifikon normën javore mësimore prej 20 orë dhe nuk është specifikuar as pjesa e orëve të tjera që janë për përgatitje për mësim dhe për veprimtari të tjera arsimore. Versioni i ri ka edhe të meta të tjera  e të cilat jemi të gatshëm t’ua prezantojmë  në takim  Kolegjiumit të Drejtorëve të Arsimit”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

SBASHK-u i drejtohet  anëtarësisë, që kanë Kontrata pune në kohë të pacaktuar, me apelin që të mos e nënshkruajnë versionin e ri të Kontratës së punës, “ngase ata kanë  Kontrata të punës në kohë të pacaktuar dhe nuk ju duhet gjë një Kontratë e re, e cila në vend që të shtojë ndonjë  të drejtë,  krijon mëdyshje , mjegull  dhe ka tendencë të mohimit të të drejtave  legjitime e të fituara  me kohë”.

“SBASHK-u i drejtohet publikisht punëdhënësve që ta tërheqin nga qarkullimi këtë version të ri dhe të takohen me SBASHK-un e të bashkëbisedojmë dhe bashkërisht, nëse është nevoja, të përgatitim versionin e ri të Kontratës së punës, nëse do të shtojmë edhe ndonjë të drejtë të punëtorëve arsimor e nëse jo, atëherë ata kanë Kontratë pune në kohë të pacaktuar dhe nuk ju duhet diçka më e keqe nga kjo që e kanë”, thuhet në këtë komunikatë.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika