Problemi ynë kryesor në raport me Serbinë dhe aleatët tanë është frika që i kemi futur vetes nga Serbia, nga braktisja e miqve ndërkombëtarë dhe nga një e ardhme e pasigurtë. Unë besoj që ka ardhur koha të çlirohemi nga kjo frikë. Pas këtij çlirimi do të marrin frymë më lehtë, sepse do ta lexojmë realitetin politik pa emocione dhe pa frikë. Nuk jetohet në frikë. Nuk jetohet sikur duam ta fshehim ekzistencën tonë. Nuk jetohet pa vullnet aktiv, pa dëshirë për ta pohuar qenien tonë si qenie të pavarur.
Serbia është më e madhe se Kosova, por Rusia është edhe më e madhe se Ukraina, por madhësia nuk po i ndihmon: po humbin luftën.
Nuk kemi pse t’i frikësohemi Serbisë. Ajo mund të ëndërrojë gjithçka që dëshiron për Kosovën si djep i Serbisë, por ajo kohë ka mbaruar. Edhe një aventurë në Kosovë dhe humbë edhe vendet e tjera dhe jo vetëm Kosovën.
Këta serbë të Kosovës që kanë të drejta të barabarta me shqiptarët ende mendojnë se Serbia ka mundësi t’u ndihmojë. Por Qeveria e Kosovës duhet të zbatojë ligjin për ta si për çdo qytetar tjetër. Nëse nuk u ka pëlqyer Kosova demokratike me të drejta të garantuara, le të shkojnë në Serbi. Me zor nuk i mban askush. Por të shantazhosh shtetin në këtë mënyrë është e papranueshme dhe qeveria duhet t’ua bëjë të ditur: Kosova nuk është krahinë e Serbisë.
Le të kërcënojnë me luftë sa të duan, por nuk kanë asgjë. Nuk ka më luftë në Kosovë.
Serbia imagjinon se po të mos ishte Kfori do ta gëlltisë Kosovën. Por në fakt Kfori e bën të mundur këtë iluzion (është kusht i mundësisë së këtij iluzioni): nëse Kfori largohet, atëherë iluzionet e saj do të thyhen dhe bien si shtëpi prej letre, sepse nuk është Kosova e shtypur dhe e vuajtur e viteve 80-90.
Prandaj, ne duhet ta mposhtim frikën tonë nga Serbia. Sepse kjo frikë po na mban peng. Ne as vetvetja nuk po guxojmë të jemi. As një vendim nuk po mund ta marrim pa u konsultuar me të tjerët, kjo ngase frikën nga Serbia ende nuk e kemi mposhtur. Konsulltimi me të tjerët është i nevojshëm, por ne nuk po kosulltohemi sepse duam të marrim vendime të mira politike, por sepse kemi frikë nga kontestimi i mendimeve dhe këshillave të tyre. Nuk guxojmë t’i kundërshtojmë jo pse mendojmë ata janë të pagabueshëm, apo që kanë interesat tona në zemër, por sepse ne nuk kemi guximin t’i kundërshtojmë nga frika që ata do të na braktisin. Pra ne ende nuk e kuptojmë politikën si interes, por si një lidhje miqësie dhe ky kuptim shtrembëron jo vetëm natyrën e marrëdhënieve politike por edhe marrëdhëniet tona me aleatët tanë. Si rrjedhojë e këtij shtrembërimi, ne krijojmë pritshmëri të paarsyeshme e disa herë edhe qesharake. Këndvështrimi jonë i bazuar në frikë deformon qasjen tonë ndaj realitetit politik dhe na bën të dukemi më servil sesa në realitet jemi. Servilizmi është problem sepse askush më nuk të merr seriozisht, sepse të shohim vetëm si të nënshtruar. Servilizmin nuk na e imponuan aleatët tanë, por ia imponuam vetes.
Të mposhtim frikën brenda vetes, se nuk kemi pse të kemi frikë nga Serbia. Kur e mposhtim frikën brenda vetes, atëherë çlirohemi edhe nga ankthet që i kemi futur vetes: po sikur Amerika të largohet, po sikur Serbia të kthehet, etj, etj. Nuk jetohet në frikë të vazhdueshme. UÇK u formua në kushte shumë më të dobëta dhe pa asnjë garanci nga vendet e mëdha që do ta ndihmonin Kosovën. Nëse SHBA-të duan të ikin, atëherë le të ikin. Ne nuk mund t’i ndalim, pavarësisht sa i duam. As lidhjet e dashurisë kur përfundojnë nuk mund t’i mbajmë me zor. Lidhjet politike janë lidhje interesi dhe ato zgjasin për aq sa intersi i tyre vazhdon. Nëse Europa do një luftë tjetër në Evropë, atëherë ata janë edhe më budallenj se politikanët e Ballkanit. Por as kjo nuk ndodh më. Europa është më e mençur dhe më largpamëse se politikat tona të ngritura mbi frikë.