Dragan Nikolliq nga Leposaviqi shpreson se do të mund të kthehet në Policinë e Kosovës, të cilën, siç thotë ai, e la “nën presion” në nëntor të vitit 2022 pas dy dekadash punë në këtë institucion.
“Lajmi që duhet të largoheshim nga institucionet atëherë më goditi shumë, ende sot nuk mund të pajtohem me këtë”, thotë Nikoliq për Radion Evropa e Lirë.
ni, pas kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, Dragani thotë se ndihet “i tradhtuar dhe i përdorur”.
Dorëheqja e qindra serbëve nga institucionet në veri të Kosovës u iniciua nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – për shkak të përpjekjes së Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia me emrat e qyteteve të Kosovës.
Kjo dorëheqje kolektivisht nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë dhe organet gjyqësore, u mbështet nga Beogradi zyrtar, duke siguruar kompensime mujore për të gjithë ata që “mbetën pa punë”. Pasuan kriza të shumta në veri, ndërsa situata kulmoi më 24 shtator 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë në Banjskë pranë Zveçanit, duke vrarë një polic. Që atëherë, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione serbe që funksiononin në veri të vendit sipas sistemit të Serbisë.