Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia e ka shkelë Marrëveshjen e Brukselit ku është edhe pika e asociacionit kur u ka dërguar letra vendeve anëtare të BE-së pasi Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim.
“Presidenti i Serbisë i ka dërguar letra vendeve anëtare të BE-së, sidomos pesë shteteve mosnjohëse kundër aplikimit të Kosovës në BE. Me këtë rast ajo e ka shkelë marrëveshjen më të dashur të Brukselit, atë të 19 prillit 2013, në pikën 14 ku thuhet se Kosova e Serbia nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën për integrimet evropiane. Pra marrëveshjen me 15 pika, ku gjashtë pikat e para janë për asociacionin e ku është edhe pika e 14-të, është shkelë tashmë nga Beogradi prej momentit kur i kanë dërguar letra vendeve të BE-së”, ka thënë Kurti në një konferencë për media të premten.
Kurti ka thënë se kjo marrëveshje u ratifikua në Kuvendin e Kosovës, por s’është ratifikuar në atë të Serbisë, duke shtuar se “s’ka bazë ku thirren ata sepse mbi atë marrëveshje tashmë ndodhet vetë këmba e Serbisë që e ka shkelë në pikën e 14-të.”
“Kosova, jo vetëm që është shtet i pavarur, por është aq shumë shtet i pavarur nga mosnjohja e Serbisë. Besoj që nervoza në Beograd vjen pikërisht nga kjo pavarësie e dyfishtë e Kosovës. Të pavarur si Republikë, por të pavarur edhe nga mosnjohja e Serbia”, ka thënë Kurti.
Kosova ka dorëzuar dosjen për anëtarësim në BE më 15 dhjetor në Pragë. Ndërsa Kurti ka thënë se presidenti serb u ka dërguar letrat drejt vendeve anëtare të nesërmen ose të pasnesërmen.