Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka marrë një vendim të rëndësishëm në çështjen TikTok, duke mbështetur legjislacionin që synon mbrojtjen nga kërcënimet që lidhen me platformën dhe lidhjet e saj me qeverinë kineze.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick B. Garland deklaroi se ky vendim mbron sigurinë e SHBA-së, transmeton klankosova.tv.
”Vendimi i Gjykatës na mundëson të parandalojmë qeverinë kineze që të përdorë TikTok për të rrezikuar sigurinë kombëtare të Amerikës. Regjimet autoritare nuk duhet të kenë akses të pakufizuar te të dhënat sensitive të miliona amerikanëve. Ky vendim konfirmon se ky akt ligjor mbron sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në përputhje me Kushtetutën”.
Derisa zëvendësprokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco shtoi se ky vendim nuk përkon me kufizimin e lirisë së fjalës.
”Ne mirëpresim vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme. Departamenti i Drejtësisë ka paralajmëruar prej kohësh për rreziqet ndaj sigurisë kombëtare nga kontrolli i TikTok nga Republika Popullore e Kinës, duke përfshirë mbledhjen e informacionit të ndjeshëm për dhjetëra miliona amerikanë dhe manipulimin e fshehtë të përmbajtjes që u ofrohet atyre. Vendimi i Gjykatës nënvizon se ky legjislacion dypartiak është i fokusuar në mbrojtjen e amerikanëve, jo në kufizimin e lirisë së fjalës. Ky akt synon të ndërpresë lidhjet e TikTok me qeverinë e Pekinit në mënyrë kushtetuese”.
Ligji do të hyjë në fuqi më 19 janar dhe zbatimi i tij do të kërkojë një proces të vazhdueshëm për të siguruar pajtueshmëri me dispozitat e tij.