Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp bëri vlerësime mbi situatën e fundit në Afganistan dhe sulmet e talibanëve.
“Nëse talibanët pretendojnë se duan legjitimitet ndërkombëtar, këto veprime nuk do t’ua japin atyre legjitimitetin që kërkojnë. Ata nuk kanë pse të vazhdojnë këtë rrugë. Energjinë që harxhojnë për veprimet ushtarake ata mund t’ia kushtojnë procesit të paqes, gjë që ne i nxisim fuqishëm ta bëjnë këtë”,- theksoi Psaki.
“Kjo është ajo për të cilën populli afgan ka nevojë urgjente; ajo që ata meritojnë pas dekadash lufte. Sulmet e Talibanit kanë prekur shumë grupe të shoqërisë”, shtoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Sulmet e Talibanit janë përshpejtuar pas vendimit të SHBA-së për t’u tërhequr nga Afganistani dhe dështimit të bisedimeve të paqes mes administratës afgane dhe talibanëve.
Pasditen e sotme njësitë talibane pushtuan qendrën administrative të një prej provincave të Afganistanit për herë të parë që nga viti 2006. Talibani konfirmoi se ka marrë kontrollin e qytetit Zaranxh në kufirin me Iranin.
Luftime të ashpra vazhdojnë midis talibanëve dhe forcave qeveritare në qendrat administrative të rajoneve Helmand në jug, Xhuzxhan (Juzjan) në veri dhe Herat në perëndim të vendit.
Talibanët pretendojnë se kontrollojnë më shumë se 80 për qind të territorit të Afganistanit.
Aktivitetet ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), të cilat herë pas here e mbështesin ushtrinë afgane me avionë luftarakë, do të përfundojnë në fund të muajit.