Bllokimi i dhjetëra kamionëve me ndihma në anën egjiptiane të kufirit me Rripin e Gazës, ku njerëzit janë duke u përballur me uri, përbën fyerje morale, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përgjatë një vizite në pikëkalimin në Rafah, të shtunën.
Ai ka thënë se është koha që Izraeli të zotohet për lëshimin e ndihmave në Gazë dhe ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë.
Ai u ka thënë gazetarëve se OKB-ja do të vazhdojë të punojë me Egjiptin për të mundësuar depërtimin e ndihmave në brendësi të Gazës.
“Prej kësaj pike kufitare ne e shohim situatën zemërthyese. Një rend i gjatë me kamionë të bllokuar në njërën anë të kufirit, një rend i gjatë i njerëzve të uritur në anën tjetër”, ka thënë ai.
“Kjo është më shumë sesa tragjike, është fyerje morale”.
Guterres e ka zhvilluar këtë vizitë teksa Izraeli përballet me presion global për të mundësuar hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Gazë, rajon që është shkatërruar pas më shumë se pesë muajve luftë në mes të Izraelit dhe Hamasit.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Izraeli është duke kërcënuar me nisjen e një operacioni ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, shumë afër kufirit me Egjiptin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare kundër një sulmi të tillë.