Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu për nismën për tërheqjen e mjeteve të Trustit.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se vetë fakti se kush e ka iniciuar këtë projektligj tregon nivelin e profesionalizmit dhe seriozitetit, derisa nuk i përmendi emrin Haxhiut.
Madje Kurti tha se për kalimin e këtij projektligji opozita e ka përkrahjen edhe të Listës Serbe.
“Nuk mund të lejojmë që edhe ta humbim të ardhmen por edhe të mos e fitojmë të tashmen. As shtetet me nivelin më minimal të seriozitetit nuk diskutojnë për opsionin e rrënimit të Trustit Pensional. Ne mbase jemi brezi i parë që mund të ketë pleqëri të dinjiteshme, nëse këtë e rrënojmë edhe sot për një problem afatshkurtë atëherë edhe ne po e rrënojmë. Nuk është e rastësishme që kjo nismë ka ardhur nga një deputet i opozitës i cili duke komentuar deklaratën e FMN-së ka thënë se po të donte FMN do të na jepte mjete ti shpërndanim te qytetarët. Ja se kush po merret me financa e ekonomi. Pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne, por vetëm një person. Fondi nuk ekziston për ta zbrazur. Janë të njëjtit që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje dhe tash po dëshirojnë që edhe ato pak të mira që ekzistojnë ti rrënojnë. Ne nuk kemi si e mbështesim një nismë të tillë, edhe kur e kemi kundërshtuar herën e parë kemi dhënë jemi kundër sepse e dimë se hapet dera për nisma të tjera të tilla. E ritheksoj se Qeveria e Kosovës nuk e mbështet një nismë të tillë”, tha Kurti. /Kosova ime