`Shkodra Elektronike` në Podcast me Ramën: Fitorja në Fest 63 e papritur

Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, fituesit e edicionit të 63 të Festivalit të Këngës,  ishin të ftuarit e kryeministrit Edi Rama në podcastin “Flasim”. Ata rrëfyen emocionet pas triumfit të “Shkodrës Elektronike”, duke mos e fshehur habinë që “Zjerm” u pëlqye kaq shumë nga publiku.

“Nuk e prisnim këtë sukses. Ne vendosëm të shkruanim këngën apostafat për Festivalin. Beatriçja e shkroi, ma nisi mua idenë e parë, punuam dhe e paraqitëm. Ne morëm pjesë në Festival që njerëzit të na njohin pak më shumë dhe që kur të publikonim albumin, të kishim më shumë fansa, kjo ishte ideja jonë. Kur u publikuan këngët, kënga jonë ishte e dyta më e dëgjuar, pas këngës së Elvanës. U habitëm aty. Nuk e prisnim që të kishim kaq shumë shikime. Ishte shumë surprizë, komplet e papritur fitorja”, u shpreh Kola.

“Unë kam parë reagime nga të gjithë. Ne e kemi bërë këngën tonë, por nuk kam menduar që do ishim kaq të pëlqyer”, tha Beatriçe.

Të dy me banim të Itali, ku secili kishte krijuar jetën vet artistike, Kola dhe Beatriçe treguan se “Shkodra Elektronike” u krijua në vitin 2019. Ajo që i bashkoi, ishte kënga shkodrane.

“Unë kam shkuar 20 vjeç në Itali. Ne fillimisht kemi filluar me këngë të Shkodrës. Unë në fillim këndoja këngë Shkodrane më një italiane, dhe aty më dëgjoi Beatriçja. Kënga e Festivalit nuk është e para që kemi bërë bashkë, kemi që në 2019 që bashkëpunojmë”, tregoi Kola.

“Unë kam shkuar 6 vjeçe në Itali, aty kam bërë dhe shkollën. Unë flas vetëm në shkodrançe, e kam shumë të vështirë të  flas gjuhën letrare. Kolën e kam zbuluar në Youtube. Pastaj unë i çova në mesazh në Facebook dhe u bëmë shokë në Facebook. Unë nxirrja videot e mia duke kënduar me grupe italiane, Kola ka parë disa gjëra që i kanë pëlqyer dhe më propozoi një projekt të përbashkët, ‘Shkodrën Elektronike’”, rrëfeu Betariçe.

Kreu i qeverisë vlerësoi artistët, duke shprehur kënaqësinë që për herë të parë, çmimi për fituesin nuk pati kontestime, por vendim në unison mes jurisë dhe publikut.

Pjesëmarrës për herë të parë në Festivalin e Këngës, “Shkodra Elektronike” triumfoi me këngën “Zjerm”, duke marrë në total 143 pikë. “Zjerm” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Basel të Zvicrës.rtsh.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika