Shqiptarët nuk janë racistë, por janë alergjikë ndaj çdo racizmi

Shqiptarët nuk janë racistë, por janë alergjikë ndaj çdo racizmi

Barometri diplomatik

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Shqiptarët nuk janë racistë, por janë alergjikë ndaj çdo racizmi

Amerika, as BE-ja, as OKB-ja, as NATO-ja e as OSBE-ja, në asnjë formë, nuk i ndihmojnë, as nuk i mbështetin ata individë (qoftë liderë politikë, diplomatë apo persona privatë), që apelojnë dhe propagandojnë për diskriminimin e minoritetve kombëtare ose etnike në Kosovë dhe në Shqipëri.

*** Ndaj, duhet të jemi me “mendje të bledhur”, të mos rrëshqasim dhe të mos fundosemi në “baltën e gjallë” të racizmit dhe në ujërat e turbullta të mohimit dhe të diskriminimit të minoriteteve etnike në Kosovë. -Duam paqe me Turqinë, paqe me fqinjtë në rajon, JO shprushje të zjarrit të konflikteve dhe të mosmarrëveshjeve shekullore për hesape të vjetra, të tejkaluara dhe të mbyllura, që në dekadën e dytë të shekullit XX, pas krijimit të shtetit të parë të pavarur demokratik shqiptar të Shqipërisë etnike me kryeministrin e parë të saj, Isamail Qemali (1912).

*** Kryeministri i qeverisë , Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të duhej t’i kërkonin falje qeverisë së Republikës së Turqisë, për shkak të gafës ofenduese antidiplomatike të Gjergj Dedajt, i cili atë e quajti “shtrigë”, si dhe minoritetin turk në Kosovë, e quajti “mbetje”, duke e paralajmëruar me “çrrënjosje nga Kosova” dhe më gjerë !?

Kjo nuk quhet diplomaci, por kërcënim, shpërfillje dhe ofendim për Turqinë dhe për minoritetin turk në Kosovë, që mund të krahasohet me diplomacinë raciste të Todor Zhivkovit, i cili në vitin 1989 bëri asmilimin dhe spastrimin etnik të minoritet turk në Bullgari, ku “rreth 340.000 turq i përzuri në Turqi”.

Jo vetëm zëvendësministri i Ministrisë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, por edhe qeveria e Kosovës dhe qeveria e diplomacia e Ditmir Bushatit, duhen ta mbajnë parsysh faktin se, Kosova dhe Shqipëria nuk janë superfuqi ballkanike, por aleatë dhe miq me Amerikën, me NATO-n dhe me BE-në, që nuk mund të dalin jashtë kontrollit të tyre, kur është fjala për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të minoriteteve, si dhe për zhvillimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të tyre miqësore qoftë politike, diplomatike, ekonomike, tregtare kulturore me vendet fqinje në rajon, në Evropë dhe në botë, ashtu siç thuhet edhe në “Qëllimet dhe Parimet” e Kartës së Kombeve të Bashkuara/KREU I, Neni 1, pikat 1-4 / të saj.

Liberali kosovar, Gjergj Dedaj ta ndjekë shembullin e ndritshëm ANTIRACIST të KRYEDIPLOMATIT SHQIPTAR, ISMAIL QEMALI, jo të propagandës sllave raciste të Todor Zhivkovit ndaj popullit turk dhe Turqisë

-Kushdo, që pretendon të jetë i pavdekshëm si patriot, kombëtar, atdhetar, demokrat dhe pacifist i mirëfilltë në politikë, në diplomaci, në drejtësi dhe në shkencën historike shqiptare, patjetër, duhet të MËSOJË DREJT nga diplomacia e Ismail Qemalit, që është ABETARE dhe “CICERON” udhërrësyes për humanizmin, për politikën, për drejtësinë, për diplomacinë, për pavarësinë, për ribashkimin, për qendresën e sotme dhe për perspektivën e nesrme të ndritshme të Kombit Shqiptar dhe të Shqipërisë etnike në Ballkan.

Sipas Ismail Qemalit “ Të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, luftojnë për një qëllim të vetëm. Kryengritja shqiptare nuk ka karakter fetar, por vetëm kombëtar. Ata që thonë se kryemgritja ka karakter fetar, ata duan ta mbjellin farën e përçarjes…Jam i bindur se shqiptarët do të bashkohen si një grusht i vetëm për ta arritur autonominë e tyre. Ismail Qemali mbështet fort idenë e madhe se “FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA” dhe se çdo shqiptar patriot ka të drejtë të luftojë për ta vënë në jetë këtë ide ( të Vaso Pashë Shkodranit –M.H.). “ (Koli Xoxi, “Ismail Qemali /jeta dhe vepra/”, Tiranë, 1983, f. 197, 198, 211).

Prandaj, duhet të jemi “me mendje të mbledhur” si thoshte BABAI I SHTETIT TË PARË TË SHQIPËRISË ETNIKE, ISMAIL QEMALI, sepse nuk mund të sillemi me papërgjegjësi dhe në mënyrë arrogante dhe përbuzëse ndaj të tjerëve, që nuk janë shqiptarë (ashtu siç veproi dhe luftoi RACISITI serbomadh, Slobodan Milosheviq, i cili vrau, masakroi dhe dëboi me qindra e miliona kroatë, shqiptarë dhe myslimanë të Bosnjës, vetëm pse nuk ishin serbë dhe, vetëm pse nuk pranuan që tokat e tyre stërgjyshore të serbizoheshin dhe të kolonizoheshin në dobi të rizgjerimit të kufijve territorialë të Serbisë së madhe, gjatë viteve 1990-1999) , të cilët jetojnë në përbashkësi me ne në të gjitha hapësirat e Shqipërisë etnike.

Prandaj, Gjergj Dedaj (zëvendës ministër i Jashtëm i Kosovës), patjetër duhet ta ndjekë shembullin e ndritshëm kombëtar patriotik dhe kozmopolit të Ismail Qemalit, i cili “ nuk ishte racist, por demokrat liberal, që NUK BËNTE DALLIME mes popujve, kombësive, feve, gjuhëve dhe nuk diskriminonte askë. Ishte njeri i popullit, ishte shumë human dhe shumë përparimtar. Nderonte dhe respektonte çdo popull, por popullin e vet dhe Shqipërinë, i donte më shumë nga të gjithë. Për Ismail Qemalin NUK KISHTE FYERJE MË TË RËNDË SESA QËNDRIMI PËRBUZËS NDAJ POPUJVE TË TJERË DHE TË DREJTAVE DHE LIRIVE TË TYRE.” ( Koli Xoxi, “Ismail Qemali /jeta dhe vepra/”, Tiranë, 1983, f.73-74).

Pra, pa asnjë dilemë, nëse duam të jemi miq dhe aleatë të denjë të Amerikës, të NATO-s, të BE-së, duke synuar që në një ditë të afërt, edhe Kosova të jetë anëtare e OKB-së, duhet ta ndjekim rrugën dhe shembullin patriotik kombëtar, altruist, pacifist dhe demokratik e paqësor të Ismail Qemalit, që luftonte jo vetëm për lirinë dhe për pavarësinë e shqiptarëve nga sundimi shekullor osman, por edhe për lirinë dhe për të drejtat e popujve të tjerë të krishterë, që si ne, ishin njësoj të shypur dhe robër të Perandorisë Osamne (XV-XX).

Paqe, barazi dhe reciprocitet, jo racizëm dhe propagandë sllave zhivkoviane dhe millosheviqiane për luftimin dhe për zhdukjen e racave, të religjioneve dhe të kombësive josllave në Ballkan

Këtë strategji primitive të lashtë sllave anticivilizuese, antievropiane dhe antimerikane, nuk do ta tolerojnë as superfuqia botërore, Amerika e as Evropa demokratike, integruese dhe paqësore, por do ta luftojnë me të gjitha mjetet juridike ligjore, politike dhe diplomatike, kudo që të shfaqet në Ballkan (ashtu siç e luftuan dhe e bombarduan Serbinë e Slobodan Millosheviqit, më 1999) në Evropë, apo në ndonjë kontinent tjetër të botës, sepse të drejtat e njeriut dhe liritë themelore janë vlera universale, të mbrojtura me ligje, me konventa, me marrëveshje, me rezoluta, me protokolle dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara (1945-2018).

Duke qenë se ndodhemi në “udhëkryqin historik” të krijimit të një shteti demokratik të pavarur, sovran dhe të së drejtës, synimi, objektivi dhe strategjia jonë afatgjatë kombëtare , duhet të jetë patjetër ndërtimi i marrëdhënieve të reja të shëndosha, konstruktive dhe paqësore me shtetet fqinje, si dhe me Turqinë, në mënyrë që popujt tanë të jetojnë pa frikë, në mirëqenie, në paqe dhe në siguri të plotë sot dhe nesër, duke e ndihmuar njëri-tjetrin edhe në aspetin e zhvillimit ekonomik dhe të përgjithshëm shoqëror.

Vetëm mirëkuptimi, mirëbesimi, sinqeriteti, bashkëpunimi dhe interesi reciprok ndërmjet Kosovës dhe vendeve fqinje, duke përfshirë në radhë të parë, edhe Turqinë si partner politik, ekonomik dhe tregtar, është kusht themelor për tejkalimin e problemeve dhe të krizave me karakter rajonal dhe ndërkombëtar. Një bashkëpunim i tillë reciprok, pa dyshim se do të ndikonte pozitivisht edhe në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, politik, diplomatik dhe paqësor ndërkombëtar në dimensione globale në frymën e standareve dhe të parametrave të strategjisë afatgjatë të globalizmit botëror.

Prandaj, diplomacia dhe politika e jashtme e Republikës së Kosovës nuk duhet të viktimizohet nga propaganda dezinformuese e masmediave të verdha të kuzhinave të ndryshme “përpunuese” antishqiptare në Athinë, në Podgoricë, në Shkup, në Beograd dhe në Sarajevë, që për qëllim të fundmë kanë destabilizimin dhe shkatërrimin e shtetit të Kosovës, duke e futur në grindje, në konflikt dhe në konfrontim direkt me Turqinë.

Në këtë konteskt, viktima e parë politike dhe diplomatike e një propagande të tillë antishqiptare, është Gjergj Dedaj, i cili në mënyrë jodiplomatike ( pa kurrfarë takti dhe, pa kurrfarë prove të dëshmuar) përmes FB-ut atakoi Turqinë si “shtet trigë” dhe minoritetin turk në Kosovës si “mbetje”… Ky është gabim i pakorrigjueshëm politik, diplomatik, juridik dhe kushteues, sepse mohoi të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të minoritetit turk dhe të atij serb në Kosovë.

Kjo praktikë e gabuar, duhet të eliminohet nga fjalori politik dhe diplomatik i përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës, sepse bie ndesh me normat ligjore të së drejtës vendore, të se drejtës evropiane dhe të së drejtës ndërkombëtare, kur është fjala për mohimin dhe diskriminimin e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut.

Politika dhe diplomacia e shtetit të Kosovës nuk parapëlqehet që të krijojnë, të “ushqehen” , të veprojnë dhe të zbatojnë strategjinë e objektivave të tyre parësore kombëtare dhe shtetërore, duke u bazuar në opinionet e krijuara të “kazanit” të masmediave të verdha ballkanike, që në rastin e Turqisë, qe disa vite po “luajnë rolin” e politikës dhe të diplomacisë zyrtare shtetërore të Kosovës!?

–Kjo përzierje në çështje të brendshme të Kosovës dhe të Turqisë, është fatalitet, që mund të sjellë pasoja të rënda për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, sepse “zot shtëpie” në qeverinë e shtetit të Kosovës, nuk ka të drejtë të bëhet asnjë mjet i informimit privat ngase qeveria, parlamenti dhe presidenti i Kosovës sipas Kushtetutës (2008) de fakto dhe de jure JANË ZOT SHTËPIE, me detyra dhe me përgjegjësi, që të zhvillojnë dhe të zbatojnë politikën, drejtësinë dhe diplomacinë, jo agjenturat e ndryshme masmediale, të cilat për interesa të tyre heterogjene (ekonomike dhe financiare etj.), shtetin e Kosovës, mund ta çojnë drejt konfrontimit me Turqinë, gjë që kjo më së shumëti, do t’i përgjigjej Serbisë kolonialiste dhe neokolonialiste, si dhe amalgamës së saj sllavo-biznatine ballkanike.

Diplomaci paqësore, jo grindavece dhe narcisoide

Mirëfilli, nuk është politikë e drejtë e as diplomaci e ligjshme ajo, nëse dikush tenton ose ndërhyn në çështje të brendshme të një shteti, ose mohon të drejtat dhe liritë elementare të njeriut të ndonjë minoriteti qoftë në Kosovë, në Shqipëri, në Greqi, në Turqi, në Serbi, në Bullgari…etj.

Prandaj, zhvillimi i bashkëpunimit dhe i ruajtjes së marrëdhënieve ndërshtetore dhe miqësore të Kosovës me Turqinë, si dhe me shtetet e tjera fqinje në rajon, të cilat e kanë njohur Kosovën e pavarur, duhet të jetë mbi bazën e reciprocitetit bilateral dhe multilateral, gjithnjë duke u bazuar në parimet dhe në qëllimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkobëtare të zbatimit dhe të respektimit të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, si dhe në mosndërhyrjen dhe në mospërzierjen në çështje të brendshme të asnjë shteti.

Po ashtu, nëse mes Kosovës dhe Turqisë, apo të ndonjë shteti tjetër fqinjë, do të lindte ndonjë problem, krizë a konflikt, këto, do të duhej të zgjidheshin me rrugë paqësore në frymën e Kartës së Kombeve të Bashkuara, jo me forcë, me racicizëm, me urrjetje, me armiqësi apo në ndonjë formë tjetër vandaliste, që do të shkaktone prishjen e marrëdhënieve ndërmjet tyre, duke përfunduar në ndonjë konflikt të armatosur, të cilin e përjashton e drejta ndërkombëtare si mjet të dhunshëm dhe të pajustifikueshëm.

Diplomacia paqësore jep rrugëzgjidhjeje, kurse forca, vandalizmi, urrejtja dhe kërcënimi shpurin në konflikt të përgjkashëm mes popujve dhe shteteve

Një shembull të këtillë konkret negativ e përjetuam në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë(1990-1999) si rrjedhim të propagandës vandaliste të masmediave serbe, të Kishës Ortodokse Serbe, të Akademisë Shkencave dhe të Arteve Serbe me Memorandumin famëkeq të saj të viti 1986, ku bashkarisht futën zjarrin dhe flakën mes popujve, duke i çuar në varr pa kthim, vetëm pse nuk ishin serbë dhe, vetëm pse nuk pranuan, që tokat dhe shtëpitë e tyre, të bëheshin plaçkë e kolonizimit dhe e gjenocidit serb.

Kosovës i duhen diplomatë, që njohin diplomacinë, jo analfabetë, që e turpërojnë Kosovën

Nuk mund të jesh diplomat i aftë dhe i sukseshëm nëse pikësëpari nuk e studion dhe nuk njeh të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet politike ndërkombëtare. Ka edhe shumë kushte të tjera, që duhet t’i plotësojë një diplomat i sotëm, por pa këtë bazament të së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, mund të jesh vetëm diplomat i dështuar si Gjergj Dedaj (zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës).

Mirëpo, Gjergj Dedaj nuk do të duhej ta ndiente veten aq keq për një hendikep të tillë profesional, sepse nuk është i vetmi në nomeklaturën e qeverisë së Kosovës, që nuk e njeh të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet politike ndërkombëtare, sepse ka edhe shumë të tjerë (që me vite të tëra, 2008-2018) nuk i kanë plotësuar dhe, edhe sot, nuk i plotësojnë këto kushte themelore dhe të domosdoshme të diplomatit të përkryer në nivelin e kërkuar sipas satndardeve të së drejtës diplomatike dhe konsullore ndërkombëtare.

Ja ky shembull karakteristik ilustrues se si nuk duhet të jetë diplomati , i cili nuk njeh ABC-në elementare të diplomacisë, të drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare.

*** Gjergj Dedaj (zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës) : “ Shtrigat e Ballaknit. Turqia dhe Serbia, synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundiit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilat duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe nga trojet e Gjergj Kastriotit.” (Shih në : http://zeri.info/aktuale/209877/dedaj-serbia-dhe-turqia-shtrigat-e-ballkanit/).

-Pse ky tekst, cili ishte motivi për t’u shkruar në këtë formë paragjykuese dhe urrejtëse ndaj minoriteteve turke dhe serbe në Kosovë, me thirrjen imperative në kuptimin më të gjerë gjeografik të shpërnguljes së tyre nga trojet etnike shqiptare të Skënderbeut?!

Kjo “ logjikë diplomatike” e Gjergj Dedajt, është e papranueshme, sepse Kosovën dhe Shqipërinë, do t’i sillte në “bangën e zezë” të Tribunalit të Hagës, ashtu siç ndodhi me ndëshkimin e politikës dhe të diplomacisë së spastrimit etnik të kroatëve, të myslimanëve boshnjakë dhe të shqiptarëve në Kosova nga ana e Serbisë së Slobodan Milosheviqit dhe të “kryediplomatit” të tij Milan Milutinoviq (1990-1999).

Mirëpo, meqë meqë Gjergj Dedaj (zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës) qenka aq “trim”, aq “ i drejtë”, aq “human” e aq “diplomat i famshëm”, “le t’i shpallë luftë” Turqisë, por jo në emër të SKËNDERBEUT, i cili nuk ka luftuar për spastrimin etnik të asnjë popullate civile në Ballkan, por vetëm kundër pushtuesit perandorak osman në shekullin XV. – Skënderbeu nuk ishte kokëbosh, qyqar, injorant, por ishte trim mbi trima i formatit evropian, ishte i urtë e vizionar si “Shën Luizi, Diplomat i hollë si Talleyrandi francez dhe trim si Aleksandri i Madh”.

Pra, Gjergj Dedaj vetëm në emër të vet personal, jo në emër të Qeverisë së Kosovës (si “diplomat”) dhe të shqiptarëve të Shqipërisë etnike në Ballkan “mund t’i shpallë luftë” Turqisë dhe të apelojë për “spastrimin etnik” të minoritetit turk dhe serb, sepse në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI (viti 2018) kombi shqiptar, as Shqipëria etnike nuk janë në kurrfarë konflikti të pazgjidhshëm me Turqinë e sotme moderne evropiane. Paragjykimi negativ dhe përzierja në çështje të brendshme të Turqisë (duke e provokuar përmes minoritet turk në Kosovë) janë budallallëk sui generis, që nuk kanë asnjë lidhje me ABC-në e diplomacisë, as me drejtësinë, as me humanizmin e as me rendin ekzistues juridik pozitiv ndërkombëtar.

Gjergj Dedaj ka shkelur Kushtetutën(2008) dhe Kodin Penal të Kosovës (2016) si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut

Për shkak se përmes postimit të tekstit tij fatal në FB, Gjergj Dedaj (duke harruar se është zëvendës i kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli) ka shprehur urrejtjen e tij ndaj minoriteteve, duke apeluar spastrimin etnik të minoritet turk dhe të minoritetit serb. Kjo është e patolerueshme, e papranueshme dhe e dënueshme sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Neni 21, ku thuhet :

“1.Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut ja në të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës. 2.Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë. 3.Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve.

4.Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.“ (http://www.kryeministri-ks.net/repository/docs/Kushtetuta.e.Republikes.se.Kosoves.pdf).

Gjithashtu, edhe Neni 22 i Kushtetutës së Kosovës flet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, ku thuhet: “”Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:

(1) Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;

(2) Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;

(3) Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;

(4) Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;

(5) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;

(6) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskrimin ndaj Gruas;

7) Konventa për të Drejtat e Fëmijës;

(8) Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.”” ( Po aty, Kushtetuta e Republikës së Kosovës).

Po ashtu, Gjergj Dedaj ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës (2016), ku Nenin 147, pika 1, thuhet “1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.” Gjithashtu, edhe në pikën 3 të këtij Neni, thuhet : “3. Kushdo që kryen veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni përmes shtrëngimit, rrezikimit të sigurisë, përqeshjes së simboleve kombëtare, racore, etnike apo fetare, duke dëmtuar pasurinë e personit tjetër ose duke përdhosur monumentet apo varrezat, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. “ (http://jus.igjk.rks-gov.net/727/1/KodiPenal.pdf ).

Mirëpo, për t’i ikur një përgjegjësie të këtillë penale, Gjergj Dedaj, duhet të japë dorëheqje nga posti i zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës, si dhe t’u kërkojë falje minoritetit turk dhe atij serb për gabimin e bërë në adresën e tyre.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe kryeministri i Qeverisë së Republikës, Ramush Haradinaj, do të duhej ta pranonin dorëheqjen e parevokushme të Gjergj Dedajt ( sepse formalisht me ligj dhe me kushtetutë, Gjergji ishte pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës). Veç kësaj për gafën diplomatike të GJergj Dedajt, kryeministri i qeverisë dhe presidenti i Republikës së Kosovës, do të duhej t’i kërkonin falje Qeverisë së Republikës së Turqisë, të cilën Gjergj Dedaj e ka quajtur “shtrigë”, sepse ky fjalor nuk ka karakter argumentues as historik, as politik e as diplomatik, por është vetëm një lloj “falli”, që nuk i hyn në punë as zbardhjes të së vërtetës historike, as politike e as diplomatike.

E drejta ndërkombëtare njeh vetëm gjendjen faktike në terren , JO recidivat historikë

Pavarësisht nga hsitoria e hidhur 5-shekullore e shqiptarëve në sundimin pushtues të Perandorisë Osmane (XV- deri në fillim të dekadës së dytë të shekullit XX (1912-1913), kur kjo humbi territoret e saj të sunduara ballkanike, shqiptarët dhe Shqipëria e pavarur kanë përmbyllur kaptinën shekullore të armiqësisë me Turqinë evropiane. Ndaj, sot as Kosova, as Shqipëria e as territoret e tjera të Shqipërisë etnike në Ballkan, nuk janë në luftë, e as në konflikt të hapur me Turqinë, por me SERBINË!

Prandaj, Turqia e sotme nuk është kurrfarë “shtrige” siç e ka quajtur gabimisht dhe naivisht “diplomati” Gjergj Dedaj. Për tepër, kur historia, politika dhe diplomacia evropiane dhe botërore e kanë provuar se këtë Turqi të Re të emancipuar evropiane (antitzë e Turqisë së vjetër osmane) e ka shpëtuar, e ka themeluar dhe e ka transformuar në Republikën e Re të Turqisë, Mustafë Kemal Ataturku (me prejardhje shqiptare nga i ati), president i saj, që nga viti 1923 e deri në vdekjen e tij, më 1938).

Prandaj, as logjikisht e as diplomatikisht kjo Turqi e sotme evropiane nuk mund të vihet nën hipotekën e Perandorisë Osmane, e as të krahasohet me Serbinë, e cila edhe sot nuk e njeh Kosovën, Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Novi Pazarin, sanxhakun e dikurshëm të Vilajetit të Kosovës.

-Po, është vërtetë se Serbia po bën të gjitha përpjekjet politike, propagandistike, ekonomike, tregtare, kulturore, diplomatike dhe ushtarake, që të rikthehet në Kosovë. Këtë rrezik e paralajmëron edhe mbyllja e Dialogut të Brukselit (2011-2018), si dhe mosnjohja e Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar (2008-2018). Ky rrezik është më se evident, që sot e kërcënon potencialisht Republikën e pavarur të Kosovës.

Mirëpo, kjo, në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet edhe për Turqinë, e cila de fakto dhe de jure e ka njohur Republikën e Kosovës, si dhe me kontingjentin e saj ushtarak ka marrë pjesë në bombardimet e NATO-s kundër Serbisë (24 Mars – 10 Qershor 1999). Po ashtu, në kohë paqeje, gjatë mandatit të UNIMK-ut (1999-2008), kaskat blu turke morën pjesë në këtë mandat ndërkombëtar paqësor në Kosovë nën flamurin e OKB-së. Gjithashtu, forcat ushtarake turke, edhe sot janë të pranishme në kuadrin e KFOR-it në Kosovë.

Prandaj, në këtë kontekst Turqia nuk mund të futet në të njëjtin “thes” me Serbinë, pavarësisht nga sundimet e dikurshme të tyre shekullore mbi shqiptarët dhe trojet e tyre etnike. Ajo histori i përket të kaluarës, jo të sotmes. Për më tepër, atë histori të gjithë e dimë, nuk mund të merret si pretekst për vlerësimin politik dhe diplomatik të bashkëpunimit dhe të zhvillimit të marrëdhënieve të sotme mes Kosovës dhe Turqisë.

Ajo është çështje e mbyllur. Atë, tanimë e ka vlerësuar historia. Nuk duhet të shikojmë prapa, por përpara se si ta intensifikojmë dhe ta begatojmë zhvillimin e bashkëpunimit të mëtejmë të ndërsjellë ekonomik, politik, tregtar, kulturor dhe diplomatik, sepse më nuk jemi armiq, por miq pothuajse një shekull. Këtë e provojnë edhe lidhjet miqësore të minoritet shqiptar në Turqi, që numëron më se 2 milionë sish.

Ndaj, duhet të kemi kujdes se si sillemi, si shprehimi dhe si veprojmë me minoritetin turk, jo me “mbetjen” siç e ka quajtur naivisht dhe e ka ofenduar në mënyrë diskriminuese zëvendësministri i Jashtëm Gjergj Dedaj, sepse të dyja minoritetet nuk janë kurrfarë “mbetjeje” dhe kurrfarë “bajagash” të askujt, por njerëz normalë si të gjithë njerëzit e tjerë , që përbëjnë minoritin kombëtar turk në Kosovë, si dhe minoritetin kombëtar shqiptar në Turqi.

Këto dy minoritete janë urë ndërlidhëse dhe kusht i domosdoshëm për të pasur bashkëpunim të dobishëm dhe të frytshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, gjithnjë mbi bazën e reciprocitetit, jo të diskriminimit dhe të mohimit të drejtave dhe lirive themelore të tyre, të garantuara me ligjet vendore dhe me ato ndërkombëtare.

Problemi shqiptar ka mbetur i hapur me Serbinë kolonialiste. Ne jemi në konflikt dhe, në prag të luftës me Serbinë, JO me Turqinë !

Prandaj, shqiptarët nuk do të duhej të jenë aq të verbër dhe aq naivë politikisht, që t’u besojnë “fake news”, dhe “buletineve shkencore” historiko-politike dhe diplomatike të analsitëve dhe të kuazishkencëtarëve serbomëdhenj, se gjoja, tanimë në Ballkan, Turqia “është bërë gati për ta ivaduar Kosovën dhe Shqipërinë” sipas doktrinës së re të “neosmanizmit” të Rexhep Taip Erdogan!?

-Kjo është gënjeshtër, spekulim dhe mashtrim i rrezkishëm, që ka për qëllim konfrontimin e shqiptarëve me Turqinë, për t’ia lehtësuar “darën” vetes, që më lehtë, më shpejt dhe në mënyrë më efikase ta ripushtojnë Kosovën, duke përfituar edhe mbështetjen direkte të Rusisë së Vladimir Putinit. Ky është rreziku më i madh dhe më serioz, që mund ta befasojë edhe Kosovën, edhe Shqipërinë (si anëtare e NATO-s), edhe Turqinë, edhe pse Kosova është nën mbrojtjen e fortë të NATO-s dhe të Amerikës.

Nuk frikësohemi prej Turqisë mike (anëtare e NATO-s dhe aleate e partner i rëndësishëm i SHBA-së), por prej Serbisë armike, aleate dhe partner i Rusisë dhe i Kinës, e cila në çdo moment mund të befasojë me ndërhyrjen e saj në Kosovë.

-Derisa Turqia e sotme evropiane , në asnjë formë nuk po përzihet në çështje të brendshme të Kosovës, por, përkundrazi po lobon me të madhe, që shtetet e ndyrshme të bashkësisë ndërkombëtare, ta njohin Republikën e Kosovës, askush nga liderët politikë shqiptarë nuk kanë të drejtë morale e as njerëzore, që Turqinë ta paraqesin si “gogol” dhe si rrezik të madh as për Kosovën e as për Shqipërinë, duke e shpifur, duke e paragjykuar dhe duke krahasuar atë , se gjoja “së bashku me Serbinë dhe përmes emisarëve të tyre po synojnë rikthimin e tyre startegjik në Kosovë”, ashtu siç ka deklaruar në postimin e tij fatal jopolitik dhe jodiplomatik në FB, Gjergj Dedaj (zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës) : “ Shtrigat e Ballaknit. Turqia dhe Serbia, synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, secila perms emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundiit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilat duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe nga trojet e Gjergj Kastriotit.” (Shih në : http://zeri.info/aktuale/209877/dedaj-serbia-dhe-turqia-shtrigat-e-ballkanit/).

Si mund të jesh liberal dhe demokrat, e ta bësh një mesazh të këtillë kërcënues me përmbajtje raciste dhe diskriminuese ndaj minoriteteve turke dhe serbe pavarësisht nga origjina kombëtare e tyre?!

–PO, sot nuk jemi në kohën mesjetare, por në shekullin XXI, ku të drejtat dhe liritë themelore të njeriut llogariten, mbrohen dhe respektohen si një nga vlerat më fundamnetale të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat janë të mbrojtura me ligjet dhe konventat përkatëse të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

-Ruajna Zot, sikur të realizohej një plan i tillë i spastrimit etnik të minoritetit turk në hapësirat shqiptare, atëherë çfarë do të bëhej me disa milionë shqiptarë në Turqi? – A do të vinte në shprehje zbatimi i së “drejtës së retorzionit” të së drejtës ndërkombëtare si kundërmasë e shpërnguljes së minoritet turk nga Kosova?

Pavarësisht nga dëshira abstrakte dhe synimi i këtillë imagjinuar i Gjergj Dedajt, minoriteti turk në Ballkkan nuk mund të vihet nën hipotekën e sundimit 5-shekullor të Perandorisë Osmane (XV-XX) !

Fundja, edhe nëse je president, kryeministër, zëvendëskryeministër, minister, kryekuvendar, deputet, diplomat, konsull, kryetar partie, hoxhë, prift a sheh, askush nuk e gëzon të drejtën qoftë zyrtarisht, qoftë privatisht, që t’i diskriminojë përfaqësuesit e asnjë minoriteti në Kosovë, sepse të të gjithë , në mënyrë të barabrtë sikurse të gjithë qytetarët tjerë janë të mbrojtur me Kushtetutën e Kosovës ( Neni 147, paragrafi 1 dhe me Ligjin përkatës mbi të drejtat e njeriut dhe liritë themelore (Nr.03L047), me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, si dhe me të gjitha konventat, rezolutat, deklaratat, protokollet, marrëveshjet, paktet ndërkombëtare për mbrotjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Sa më sipër, duhet ta rikujtojmë opinion e gjerë publik shqiptar se, sikur të ishte gjallë skretari i Përgjithshëm i Partisë Liberale të Kosovës (PLK) i ndjeri Sokol Blakaj (politikolog i shquar), sigurisht se nuk do ta kishte lejuar kryetarin e kësaj Partie, Gjergj Dedaj, që të bënte një gafë të tillë fatale politike, diplomatike, antihumane, antiligjore me përgjegjësi penale vendore dhe ndërkombëtare, sepse pa asnjë arsye ka ofenduar dhe ka kërcënuar minoritetin turk dhe minoritetin serb, që si “MBETJE” të “çrrënjosen nga trojet e Gjergj Kastriotit”.( http://zeri.info/aktuale/209877/dedaj-serbia-dhe-turqia-shtrigat-e-ballkanit/).

JO diplomaci antihumane si të diktatorit komunist Todor Zhivkov, por diplomaci paqësore shqiptare të Ismail Qemalit

Ky apel fatkeq i Gjergj Dedajt të rikujton diplomacinë dhe politikën raciste, asmiliuese dhe diskriminuese të diktatorit komunist ish-kryetarit të Bullgarisë, Todor Zhivkov, i cili “në vitin 1989 (qershor – shtator) nga vatrat e tyre i dëboi 340.000 mijë turq nga Bullgaria në Turqi”, si dhe qindra e mijëra të tjerëve, me dhunë dhe me forcë ( me polici dhe me ushtri, me kallashnikov në fyt) ua ndryshoi emrat myslimanë në emrat bullgarë vetëm për spastrimin etnik të tyre nga Bullgaria.

Ja, se si diktatori komunist racist bullgar, Todor Zhivkov e ka justifikuar asimilimin dhe spastrimin etnik të minoritetit turk : “ Nëse këtë nuk e bëjmë, duke i dëbuar 200.000 deri në 300.00 turq, atëherë, brenda 15 viteve nuk do ketë më Bullgari, por një Qipro të dytë, e cila në vitin 1974 është ndarë në Qipron Veriore turke dhe në Qipron Jugore greke. Kjo deklaratë dhe shumë të tjera, që i referohen spastrimit etnik dhe asmilimit të minoritetit turk janë të shkruara në 2.459 dokumente të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bullgarisë, të cilat janë publikuar në webfqen e Arkivit të Agjencisë Shtetërore të Bullgarisë (www.arćives.bg/politbiro).(https://www.blic.rs/vesti/svet/bugarska-u-vreme-komunista-etnicki-ocistila-turke/9nky52y).

Megjithatë, unë nuk besoj se, Gjergj Dedaj ka një fuqi dhe mbështetje të tillë të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, sikur që e kishte Todor Zhivkovi nga shteti dhe nga populli bullgar i tij më 1989, që ta “çrrënjosë mineritetin turk nga trojet e Gjergj kastriotit” , sepse sot minoritetet si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri janë të mbrojtura me kushtetutë, me ligjet përkatse dhe me kodet penale vendore, si dhe me konventat ndërkombëtare për mbrojtejen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore. Ndaj, kush bën propagnadë qoftë mediale, qoftë shtetërore, qoftë individuale, grupore dhe partiake për shkeljen e këtyre instrumenteve ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, sigurisht se, do të përballet me ligjet kombëtare dhe me ato evropiane dhe ndërkombëtare.

You may also like

Myftiu frikacak i ‘ofrohet’ kusive më të qelbura mediatike

Shkruan: Fadil Pushkolli Myftiu i Kosovës në intervistën