Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetët anëtarë të grupit Miqtë Laburistë të Kosovës, Emma Lewell-Buck, Fabian Hamilton, Paul Foster dhe David Taylor. Në takim u diskutuan për marrëdhëniet bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, për raportet e shkëlqyera dhe miqësore, si dhe për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit nga Kuvendi, Konjufca i falënderoi mysafirët për vizitën dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e pakrahasueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, si në të shkuarën ashtu edhe aktualisht. Ai theksoi se miqësia mes dy vendeve bazohet në këtë të shkuar, në vlerat, interesat dhe qëllimet e përbashkëta.
“Po ashtu, i njoftoi me çështje të aktualitetit, duke theksuar se bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar në sfera të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të sigurisë është një garanci e zhvillimit dhe sigurisë për Republikën e Kosovën, edhe për stabilitetin rajonal në një kohë shumë delikate pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, duke marrë parasysh ndërhyrjet ruse në rajon përmes shteteve të saj aleate”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se deputetët e grupit laburist e falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen dhe rikonfirmuan angazhimin e tyre për të forcuar edhe më tutje bashkëpunimin mes dy vendeve.