Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se trajtimet ndaj turqve ujgur në rajonin autonom Xinjiang të Kinës do të jenë një nga temat në negociatat që do kryejnë me Kinën, transmeton Kosova Post.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, në lidhje me temat në takimin që zyrtarët kinezë dhe amerikanë do të zhvillojnë në Alaskë, Psaki theksoi se do të diskutohen të drejtat e njeriut, Tajvani dhe marrëdhëniet ekonomike.
Pas pyetjes nëse do të vijë apo jo në rendin e ditës çështja e turqve ujgur, Psaki tha se “gjenocidi ndaj muslimanëve ujgur do të jetë një nga çështjet që do flasim drejtpërdrejtë me Kinën”.
Duke theksuar se SHBA-ja vazhdon t’i cilësojë si “gjenocid” politikat e Kinës kundrejt muslimanëve ujgur, Psaki deklaroi se, “Me vendet partnere po kërkojmë mundësi për të punuar mbi këtë temë dhe për të bërë më shumë presion ndaj Kinës. Gjithashtu këtë çështje do ta bisedojmë drejtpërdrejtë me Kinën”.
“Izraeli është një partner i rëndësishëm i yni”
Psaki u pyet se çfarë qëndrimi do të mbajnë nëse Izraeli kundërshton marrëveshjen bërthamore me Iranin. Ajo u përgjigj se “Jemi të vetëdijshëm se do të ketë kundërshtime për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Me Izraelin do të vazhdojmë të punojmë, është një partner i rëndësishëm i yni”.
Pasi bëri të ditur se vazhdojnë të bisedojnë edhe me partnerët evropianë për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, Psaki vuri në dukje se i kushtojnë rëndësi diplomacisë në marrëdhëniet me këtë vend. (AA)