Tregu i fundvitit “Verë n’Dimër” në Kryeqytet do të jetë i ndarë në tri zona – e rinisë, e familjes dhe ajo alternative.
Të paktën kështu është plani i ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, e cila tashmë edhe ka zgjedhur operatorin ekonomik fitues për blerjen e 120 shtëpizave, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Gastronomët që do të operojnë në këtë treg për 45 ditë do të paguajnë mbi 4500 euro për shfrytëzimin e një shtëpize.
Sipas opozitës, kjo kontratë e llojit të vet është skandaloze dhe çmimi është i papërballueshëm për bizneset.
Megjithatë, kryeshefi i “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, thotë se madje as vet komuna nuk do të mund ta realizonte një projekt të tillë, dhe thotë se kritikat janë tendencioze.
Nga kjo ndërmarrje lokale shtojnë se ky plan është punuar vitin e kaluar si shkak i kërkesë së lartë të bizneseve ndër vite.
Pos që tregu i fundvitit do të shtrihet prej sheshit “Skenderbeu” e deri tek “Xhorxh Bush”, do të ketë edhe disa risi.
Ndonëse LVV thekson se nuk janë kundër këtij festivali tashmë tradicional, por kundërshtojnë procesin që sipas tyre ka shkelje ligjore, situatë kjo që ka shkaktuar kundërshti edhe brenda kabinetit.
Mirëpo anulimin apo dështimin e kësaj procedure nuk po e sheh si opsion kryeshefi, Bardh Krasniqi. /Klankosova.tv