Nga James Jay Carafano
Edhe pse ka shumë pyetje në lidhje me drejtimin e ardhshëm të politikës së jashtme të presidentit të ri Joe Biden, roli i SHBA-së në NATO nuk është midis tyre. Pjesëmarrja e Amerikës në këtë aleancë, është themeli i mbrojtjes së përbashkët të komunitetit transatlantik.
Dhe kjo gjë nuk ka gjasa të ndryshojë. Ndërkohë, prisni që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë t`a nxisin NATO-n që të jenë më e përgatitur për ofrimin e sigurisë kolektive në një epokë të konkurrencës së madhe mes fuqive. Presidenti Biden e ka quajtur një “besim të shenjtë” angazhimin e Amerikës në mbrojtjen e përbashkët, siç përshkruhet në nenin V të Traktatit themeltar të NATO-s.
Telefonata e parë e Lloyd Austin si Sekretari i ri i Mbrojtjes ishte me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Ditët e fundit, edhe Biden zhvilloi një bisedë telefonike me këtë të fundit. Pra,është e qartë se Biden dëshiron që t’i sigurojë aleatët tanë se angazhimi i Amerikës ndaj NATO-s do të jetë aq i fortë sa kurrë më parë.
Po ashtu e qartë është se do të ketë një ndryshim të tonit në marrëdhëniet e SHBA-së me aleancën. Ndërsa Trump artikulonte shpesh kërkesën për reformimin e NATO-s dhe ndarjen e barrës në terma transaksionesh, Biden nuk do t`a bëjë këtë gjë. Ka të ngjarë që ekipi i tij të rishikojë vendimin e administratës së fundit për tërheqjen e trupave nga Gjermania.
Kjo do t’i qetësojë evropianët e shqetësuar për besueshmërinë e Amerikës si aleatja kryesore që garanton sigurinë e aleancës. Ndërkohë, Biden ka sinjalizuar se dëshiron një marrëdhënie të ekuilibruar me Rusinë. Por, evropianët nuk duan që Putini të mendojë se ka një përçarje.
Në bisedën e parë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, Biden ngriti shqetësime në lidhje me një sërë veprimesh negative nga ana e Rusisë, nga ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale dhe sulmi kibernetike ndaj SolarWinds, deri tek trajtimi që Kremlini u bën disidentëve në Rusi. Nga ana tjetër, Biden ra dakord të zgjasë me 5 vjet traktatin NEWSTART. Shumë anëtarë të NATO-s e shohin si një forcë stabilizuese marrëveshjen e armëve bërthamore SHBA-Rusi.
Por,fjalët e sjellshme nuk do të zgjidhin ndonjë gjatë të madhe. SHBA-ja mund të flasë më butë, por nuk do të ndalet së shtruari çështjen e ndarjes së barabartë të barrës së shpenzimeve me anëtarët e tjerë të aleancës.
Këtë çështje e ka ngritur çdo president amerikan dekadat e fundit, dhe Biden nuk do të sillet ndryshe. Në fakt, ndarja e barrës është më e rëndësishme se kurrë më parë për strategjinë e Amerikës. Ajo është një fuqi globale me interesa dhe përgjegjësi globale.
Dhe në një epokë të konkurrencës së madhe mes fuqive, Pentagoni nuk ka mjaftueshëm forca të armatosura për të mbuluar të gjitha rajonet pa partnerë. Ndërkohë ka edhe probleme të tjera. Brukseli ka forcuar kohët e fundit argumentet e tij për autonominë strategjike evropiane, dhe ka shtuar thirrjet e tij për ngritjen e një ushtrie evropiane.
Përplasja midis NATO-s dhe BE-së do të vazhdojë që të gjenerojë fërkime. Së fundmi ekzistojnë sfidat që vijnë nga Rusia dhe Kina, që me presionet e tyre po tentojnë të minojnë stabilitetin e aleancës. Për të gjitha këto arsye, prisni që “muaji i mjaltit” i Biden në NATO të jetë i shkurtër.
Administrata e re duhet të merret me biznesin e ndërtimit të një NATO-je që është gati për sfidat bashkëkohore me të cilat përballet aleanca. Dhe Biden, ka një themel të mirë ku mund të mbështetet. Trump u largua duke lënë pas një NATO në gjendje më të mirë sesa e gjeti.
Aleanca po investon më shumë në mbrojtjen e saj. Vitet e fundit, aleatët e NATO-s kanë bërë rritje reale dhe të qëndrueshme në shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Deri në fund të vitit 2020, anëtarët e NATO-s përveç SHBA-së, kanë investuar 130 miliardë dollarë shtesë që nga viti 2016.
Ndërkohë Biden mund të ndërmarrë disa hapa shtesë për t’a përmirësuar më tej aleancën.
Ja cilat janë 3 nga hapat që mund të ndiqen: Së pari NATO duhet të përqendrohet në fushën e saj të përgjegjësisë. Epoka e operacioneve jashtë fushës së saj ka mbaruar. Në epokën e re të konkurrencës së madhe të fuqisë, NATO duhet t’i përmbahet misionit të saj nr.1:të garantojë sigurinë e komuniteti transatlantik.
Aleanca duhet të përqendrohet më shumë në bërjen e aleancës më rezistente ndaj ndërhyrjeve keqdashëse dhe destabilizuese, sidomos në sigurimin e infrastrukturës, sigurisë kibernetike dhe luftës së informacionit, dhe kërcënimeve të tjera të “zonës gri”.
Së dyti, NATO duhet ndihmuar në përballimin e sfidës që ka lëshuar Kina. Këtu pyetja kryesore është:Si mund të sigurojmë që Kina të ketë pak ose aspak kapacitete për të dobësuar aftësinë e NATO-s për të pasur një mbrojtje kolektive?
Së treti, Biden duhet të vazhdojë të shtrojë në tryzën e diskutimeve çështjen e shpërndarjes së barrës, kjo pasi NATO ka ende nevojë për më shumë kapacitet kolektiv. Por ndërkohë ka edhe hapa të tjerë që duhet të ndërmerren, edhe pse mund të vendosin disi në siklet ekipin e Biden.
Kështu, dyert e NATO-s duhet të mbahen ende hapur për anëtarësimin e vendeve të tjera si Gjeorgjia, Ukraina, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina. Edhe kombet e vogla kanë kapacitetin për të dhënë kontribute pozitive në aleancë.
Gjithashtu, frenimi strategjik është një faktor i rëndësishëm stabilizues në dinamikën e konkurrencës së madhe të energjisë. Kjo qasje do të kërkojë një angazhim të fortë nga Uashingtoni për të bindur zërat kundër vendosjes së armëve bërthamore në Evropë, një detyrë kjo jo shumë e lehtë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al