Në drejtim të UEFA-s, së shpejti do të arrijë një ankesë e detajuar nga Federata e Futbollit të Kosovës rreth ngjarjes së të premtes në Bukuresht. FFK-ja ka publikuar një reagim të ashpër kundrejt provokimeve dhe sjelljeve raciste në përfundim të ndeshjes Rumani-Kosovë.
Reagim pati edhe nga kreu i FFK-së, Agim Ademi, i cili tha se rastin do ta çojnë deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Thirrjet si “Kosova është Serbi” e fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium, dhe veprimeve të tjera ofenduese dhe provokuese, ishin të papranueshme për lojtarët kosovarë.
Lidhur me këtë, FFK-ja tha se ambienti nuk ishte më i sigurt për Kombëtaren e Kosovës, prandaj edhe lëshuan fushën.
E gazetari i Klan Kosovës, Arlind Sadiku i cili ishte prezent në Bukuresht, dha më shumë detaje rreth tensionit të zhvilluar atje të premten mbrëma.
Sipas Sadikut, tensione kishte gjatë gjithë ndeshjes, mirëpo tensionimi më i madh nisi gjatë konferencës së jashtëzakonshme nga Kombëtarja e Kosovës pasi liruan fushën, e në këtë konferencë ju shkuan ‘mysafirë’ trajneri i Rumanisë, Mircea Lucescu bashkë me këshilltarin e mediave, njofton Klankosova.tv.
Sadiku tutje shton se këshilltari i mediave ftoi gazetarët rumunë të largohen nga konferenca e Kombëtares tonë, për t’iu bashkuara asaj të Rumanisë.
“Ka qenë një ndeshje e rrezikshmërisë të lartë, kështu e konsideruan edhe nga Federata e Futbollit të Rumanisë, dhe ka pasur kontrolle jashtëzakonisht të rrepta”.
“Po ashtu ka pasur vazhdimisht fushatë ndërgjegjësuese nga ana e federatës rumune, e tifozët kanë qenë vazhdimisht në tension, sepse e dimë lidhjen e ngushtë të tifozëve rumunë me ata serbë, pra në çdo moment pritej të bënin thirrje të tilla. Unë në fund të ndeshjes i kam dëgjuar këto thirrje si ‘Serbia, Serbia’, dhe besoj se ai ka qenë momenti kur kapiteni ynë, Amir Rrahmani ka eskaluar, unë mendoj që është një masë goxha ekstreme, tërheqja nga ndeshja, megjithatë futbollistët tanë e kanë mbrojtur dinjitetin e fanellës fillimisht, e të shtetit”.
“Ngjarje të tilla mendoj se do të ndodhin përsëri. Sa i përket masës së rreptë, në aspektin sportiv tërheqja nga ndeshja gjobitet goxha fuqishëm nga UEFA”.
“Tensione ka pasur edhe para fillimit të ndeshjes. Nuk është hera e parë që Kosova përballet me kësi lloj thirrjesh, dhe mendoj se reagimi i futbollistëve tanë ka qenë si pasojë e grumbullimit nga ndeshjet e kaluara”, tha Sadiku për Info Magazine të Klan Kosovës.
“Tensioni ka nisur nga një ngjarje e jashtëzakonshme, sepse trajneri i Rumanisë erdhi në dhomën e konferencës, kur Kosova po mbante konferencën e jashtëzakonshme pas përfundimit të ndeshjes. Bashkë me të ishte këshilltari i mediave, i cili u bëri thirrje gazetarëve rumunë të largoheshin nga kjo konferencë, dhe i ftoi të mbanin konferencën me trajnerin e Rumanisë. Aty ishte momenti kur eskaloi situata”.
Se çfarë do të ndodh më tutje, Sadiku thotë se është në dorë të shtëpisë më të madhe të futbollit evropian, UEFA-s.
“Çfarë do të ndodh më tutje, mbetet të shihet, pasi UEFA do të analizojë të gjitha pamjet, ku gjatë gjithë ndeshjes unë kam xhiruar, e sidomos në tribuna ku kishte mesazhe të ndryshme, të cilat nuk janë transmetuar nga xhiruesit kryesor. Në parullat që shkruhej në gjuhë rumune, nuk kishte mesazhe që ofendonin shtetin e Kosovës”.
Po ashtu gazetari shton se tifozët shqiptarë mbetën të ngujuar përafërsisht 45 minuta, pas mbarimit të ndeshjes.
“Kam informacione se tifozët shqiptarë 45 minuta pas përfundimit të ndeshjes kanë qenë të ngujuar, derisa janë liruar që të zbrazin tribunën”, tha Sadiku.