60% e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 31.4% prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë, shkruan KosovaPost.
Këto të dhëna janë prezantuar sot nga të gjeturat e Edicionit te Shtatë të Indeksit të Performancës së Institucioneve të Sundimit të Ligjit në Kosovë.
Drejtësia sot – Plaformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur sot, më datë 18.12.201, Konferencën për Media me temë: “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”.
“Sa i përket ndikimit politik në institucionet e drejtësisë, për vitin 2020, 60% e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 31.4% prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë”, thuhet në komunikatën për medie.
Sipas komunikatës, ky edicioni është bazuar në të dhëna të perceptimit qytetar mbi punën e institucioneve zbatuese të ligjit, në raportet vjetore të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës dhe në Ligjin për Buxhetin, duke bërë krahasime për periudhat gjatë viteve 2013-2020.
Pjesa e parë e këtij indeksi trajton perceptimin qytetar mbi institucionet e drejtësisë ndër vite, në lidhje me tema si ndikimi politik, mitmarrja, raportimi dhe efektiviteti në luftën kundër korrupsionit, etj.
Ndërsa pjesa e dytë e indeksit trajton performancën e sistemit te drejtësisë, efikasitetin e tij, shkallen e mbipopullimit dhe ngarkesën buxhetore.
“Në përgjithësi, të dhënat e këtij viti tregojnë për një rritje të vogël të përceptimit pozitiv mbi sektorin e drejtësisë në Kosovë, përkatësisht, me rreth 7 pikë përqindje nga viti paraparak. Më saktësisht, në këtë vlerësim të fundit 37.3% mendojnë që ka pasur ndryshime pozitive në sektorin e drejtësisë, për dallim nga viti paraprak kur vetëm 30.7% e qytetarëve besonin të kenë vërejtur efekte pozitive.
Përkundër kësaj dhe pavarësisht disa iniciativave të nisuar nga qeveria, përceptimi negativ mbetet ende shumë i lartë dhe shqetëueses. Edhe kësaj rradhe, më shumë së gjysma e qytetarëve (51.5%) konsiderojnë të mos kenë vërejtur përmirësime të theksuara në fushën e drejtësisë, pra, trendi ende mbetet negativ”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, në krahasim me vitin e kaluar trendi është pozitiv pasi që kemi ulje prej 8.5 pikë përqindje të qytetarëve që mendojnë se politikanët janë të pandëshkueshëm.
“Sa i përket institucioneve në veçanti dhe besimit kundrejt tyre, sipas të dhënave të raportit vërehet se 64.2% e qytetarëve i besojnë më së paku gjykatave dhe prokurorive sepse mendojnë se kanë ndikimin më të madh nga politika, ndërsa si institucionin më pak të ndikuar nga politika, edhe kësaj rradhe, e konsiderojnë të jetë Policia e Kosovës. Të pyetur nëse institucionet e drejtësisë janë subjekt i mitmarrjes, 39.8% të të anketuarve besojnë se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga kjo dukuri. Në krahasim me vitin paraprak përqindja është ulur për 8.3 pikë përqindje”, thuhet në komunikatë.
Sipas këtyre të dhënave, institucionet më të prekura nga kjo dukuri sipas 64.6% të qytetarëve janë gjykatat dhe prokuroria.