Edhe pse shumë amerikanë thonë se informacionet mbi fushatën zgjedhore të vitit 2024 e marrin nga mediat kombëtare, një sondazh shqetësues zbulon disa probleme serioze që lidhen me besimin ndaj shtypit.
Rreth gjysma e amerikanëve, 53%, thonë se janë jashtëzakonisht, ose shumë të shqetësuar, se organizatat e lajmeve do të raportojnë pasaktësi, ose dezinformata gjatë zgjedhjeve.
Rreth 42% shprehin shqetësimin se mediat mund të përdorin inteligjencën artificiale për të shkruar lajmet.
Anketa u krye gjatë muajit mars nga Instituti Amerikan i Shtypit, agjencia e lajmeve “Associated Press” si dhe Qendra Kërkimore “NORC” mbi Çështje Publike.
Sondazhi zbulon se 47% e amerikanëve shprehnin shqetësim serioz se organet mediatike do të raportonin mbi lajme që nuk janë konfirmuar ose verifikuar dhe 44% shqetësohen se informacioni i saktë do të paraqitet në një mënyrë të tillë, që favorizon njërën ose tjetrën palë.
“Niveli i angazhimit është i mirë“, thotë Michael Bolden, drejtor ekzekutiv i Institutit Amerikan të Shtypit. “Gjëja më shqetësuese është se publiku nuk është i sigurt nëse mund t’i besojë informacioneve që merr“, shton ai.
Dhe përgjegjës për situatën, thotë ai, janë dyshimet tashmë prej vitesh ndaj gazetarëve, që në pjesën dërrmuese janë ‘mbjellë’ nga politikanët.
“Mund të ketë qenë një kohë, kur njerëzit e njihnin gazetarin, sepse ai jetonte në lagjen e tyre”, tha zoti Bolden. “Mënyra se si industria është shkatërruar, bën që kjo ka shumë më pak gjasa të ndodhë“.
Ai thotë se ka një shkëputje në rritje mes organizatave të lajmeve dhe komuniteteve, një çështje që shtypi duhet ta trajtojë, duke ndihmuar njerëzit të dinë se çfarë bëjnë gazetarët e të kuptojnë se ata që raportojnë lajmet, janë miqtë dhe fqinjët e tyre.
Në secilin rast, rreth tre të katërtat e amerikanëve të rritur thonë se do të donin që “shumë” ose “disa”, nga këto tema të mbuloheshin nga organizatat mediatike.
Sondazhi, që përfshiu 2,468 individë në moshë madhore, u krye mes datave 21 dhe 25 mars. Marzhi i gabimit është plus-minus 2.9 për qind./VOA