Shkruan: Durim Abdullahu
Më 22 tetor 1912, ushtria serbe hyri egërsisht në Prishtinë pasi shtypi një rezistencë të kufizuar të fshatrave përreth Prishtinës. Ushtarët serbë që vetëm katër ditë më parë ishin nisur nga Serbia në drejtim të krahinës së Kosovës, vranë 5000 burra shqiptarë nëpër fshatrat e Prishtinës, shumë prej të cilëve para syve të familjarëve të tyre duke përfshirë edhe fëmijët. Këto vrasje shoqëruan djegjen e mijëra shtëpive, kurse disa prej vrasjeve u bënë me bajoneta për të kursyer plumbat.
Dy muaj më pas, gazeta New York Times e datës 31 dhjetor 1912, e përshkroi “vrasjen e 5000 arrnautëve në afërsi të Prishtinës” si viktima nga një “…luftë e pandershme me vrasje të pajustifikueshme”.
Të gjitha këto po ndodhnin në kuadër të fushatave ushtarake të katër shteteve ballkanike, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë, kundër Perandorisë Osmane në Europë, gjatë asaj që më pas u njoh si Lufta e Parë Ballkanike dhe e cila u zhvillua nga 8 tetori 1912 deri më 30 maj 1913.
Vrasjet mbi shqiptarët u bënë me urdhër dhe frymëzime nga Mbreti Pjetër I i Serbisë, i cili më 18 tetor 1912, ditën që i shpalli luftë shtetit osman, deklaroi: “Në Serbinë e Vjetër (lexo: Kosovë) ushtria ime do të takohet jo vetëm me serbët e krishterë, por edhe me serbët myslimanë, të cilët janë njësoj të dashur për ne dhe përveç tyre, edhe për shqiptarët e krishterë dhe myslimanë me të cilët populli ynë ka ndarë gëzimin dhe pikëllimin tash e trembëdhjetë shekuj. Të gjithëve do t’iu sjellim liri, vëllazëri dhe barazi”.