Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë njoftuar se konferenca për përgatitjen e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të mbahet më 18 janar 2023, duke filluar nga ora 09:30.
Në këtë konferencë do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023 dhe kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale dhe substanciale.
Në njoftimin e DhSK-së është thënë se gjatë seancës, ndër të tjera, paneli do të kërkojë sqarime nga palët lidhur me procedurën nëse ZPS-ja ka përfunduar me nxjerrjen e provave dhe listën e dëshmitarëve të cilët do t’i paraqesë në gjyq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa sa i përket pjesës substanciale, do të diskutohet për pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar, natyrën dhe kohëzgjatjen e një konflikti të armatosur dhe pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur ose sistematik në dritën e gjetjeve në rastet e TPNJ-së, Limaj dhe Haradinaj.