Srebrenica, aty ku u vra njerzillëku

Srebrenica, aty ku u vra njerzillëku

Shkruan: Abdullah Klinaku

Korriku i vitit 1995 ishte koha që shpërfaqi gjenocidin më të egër në Evropë, që nga lufta e dytë botërore. Ishte java e këtij korriku e cila ujiti tokën e Bosnjës me gjakun e 8.372 burrave e fëmijëve të pa fajshëm, të paarmatosur dhe të pa mbrojtur. Brenda 10 ditëve ranë dëshmor 8.372 viktima para syve të botës dhe para forcës mbrojtëse ndërkombëtare UNPROFOR.

Pushteti serb i asaj kohe realizoi gjenocidin më të tmerrshëm që nga lufta e II botërore, të cilësuar si të tillë edhe nga Kofi Annan në vitin 2005. Ndërsa padrejtësia juridike vazhdon edhe më tutje përmes Rusisë duke mos e lejuar Këshillin e Sigurimit ta cilësoi rastin e Srebrenicës si gjenocid. Si gjenocid e njohu SHBA, Unioni Evropian dhe shumë shtete të botës, përjashtimisht Rusisë dhe Serbisë. Edhe kur Serbia kërkoi falje për këtë gjenocid në vitin 2013, presidenti serb Nikolliç, prapë nuk e cilësoi si gjenocid.

Vitet e fundit sa herë kujtohet gjenocidi mbi Srebrenicën, na shfaqet një lule e bardh me midisin e saj jeshil. Lule e qëndisur në vitin 2011, nga shoqata “Thurje me grep”, e përbërë nga 11 petale duke simbolizuar datën e fillimit të gjenocidit. Përmes kësaj lule shpërfaqet pafajësia dhe shpresa e popullit mysliman. E bardha ishte mishëruar me shpirtin e bardh dhe pafajësinë e 8372 viktimave, ndërsa ngjyra jeshile ishte reflektim i shpresës për drejtësi. Një vend i cili humbi brenda një qyteti mbi 8 mijë banorë dhe gati 200.000 në gjithë luftën, pafajësinë e tij e dëshmoi por drejtësinë nuk e gjeti akoma.

Simboli i lules që paraqet gjenocidin serb mbi myslimanët boshnjak, me jeshilen dëshmon për arkivolet e mbi 8000 viktimave që po thuajse për çdo vit organizohet një ceremoni e ri-varrimit për shkak të mos identifikimit me kohë të viktimave. Ndërsa e bardha shpërfaq shamitë e bardha të nënave që luten me vaj e dhimbje mbi arkivolet jeshil të fëmijëve të tyre, të vrarë. Kjo bardhësi që shfaqet çdo vit mbi kokat e këtyre nënave të cilat kujtojnë me vuajtje fëmijët e burrat e tyre sikur se nxjerr në pah thirrjen e asaj toke për drejtësi e për paqe.

Padrejtësia mbi Bosnjën vazhdon. Padrejtësia vazhdon edhe mbi Kosovën. Pa drejtësia vazhdon mbi viktimën e jo mbi agresorin. Madje, ky trend i politikës ndaj luftërave në Ballkan e ka balancuar fajësinë midis viktimës dhe dhunuesit. Kjo pa drejtësi politike e juridike ndaj vendeve që kanë qenë viktima të luftës në Ballkan karshi agresorit sikur se është një heshtje dhe paqe e rreme sikur se ajo e Srebrenicës. Në Ballkan paqja me improvizime nuk ruhet.

Paqja në Ballkan ruhet përmes një demokratizimi substancial të mendësisë së politikës, elitës intelektuale dhe masave popullore, gjë që është shumë e vështirë të ndodh me popullin serb. Është e vështirë sepse është i vetmi popull në Ballkan i cili nuk ka reflektuar për gjenocidin e terrorin që ua ka shkaktuar popujve të tjerë ballkanik. Serbia është i vetmi vend, pretendimet e së cilës janë agresive dhe territoriale. Në një hapësirë gjeografike e politike siç është Ballkani, paqja ruhet vetëm se me ekuilibrim të forcave. Aq sa Serbia është e fortë aq edhe shqiptarët dhe boshnjakët duhet të jenë. Edukimi dhe demokratizimi i Serbisë mund të bëhet vetëm nëse boshnjakët e shqiptarët e konkurrojnë atë ushtarakisht, ekonomikisht, politikisht si dhe në sektor të tjerë. Ballkani qetësohet vetëm me forcimin e viktimave dhe fuqizimin e tyre. Viktimat e dobëta e agresori i fortë paraqet qetësi çasti për krizën e pritur në Ballkan.

Paqja, liria dhe drejtësia duhet të jenë objektivat tona. Kur këto postulate manifestohen midis popujve të Ballkanit atëherë amaneti i qindra mijëra viktimave do të realizohet.