Në fillim të janarit, Shqipëria dhe shtetet e rajonit do të vizitohen nga marshalli në pension Stuart Peach, i dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.
Në prag të këtij misioni diplomatik Peach ka deklaruar se Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh të sigurisë dhe stabilitetit në dy dekada.
Sipas Peach qeveria e Britanisë së Madhe dëshiron që ky rajon të jetë i sigurt, të funksionojnë institucione të qëndrueshme demokratike dhe të konsolidohet sundimi i të ligjit. Kryeministri Boris Johnson, i kërkoi ish-kreut të misioneve ushtarake të NATO-s që të marrë postin e ri për të mbështetur përpjekjet e Londrës për të ndihmuar të gjithë rajonin për të dëshmuar interesin e britanikeve për Ballkanin Perëndimor pavarësisht largimit nga BE.
Sir Stuart Peach, thekson se në këtë pozicion si i dërguari i Johnson për Ballkanin Perëndimor ai do të sjellë me vete të gjithë përvojën personale dhe ekspertizën më të mirë diplomatike, të sigurisë dhe të tregtisë të Britanisë për të mbështetur zgjidhje politike, si dhe për të promovuar integrimet euroatlantike.
Sir Stuart Peach ka qenë i angazhuar në bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999. Gjatë vizitës së fundit në Bosnje i dërguari i posaçëm i Britanisë për Ballkanin Perëndimor tha se do të punojë me të gjithë partnerët, përfshirë përfaqësuesin e lartë të BE-SE Schmidt, si dhe aleatët e tjerë ndërkombëtare, për të promovuar paqen dhe pajtimin në Bosnje, si dhe përparimin e këtij shteti. Klan News