Numri i klientëve pa energji elektrike është rritur në mbi 945 mijë banorë në pesë shtete në ditën e dytë të stuhisë, 820 mijë qytetarë vetëm në Michigan.
Mbi 6,000 fluturime në SHBA u anuluan ose u vonuan të enjten, sipas të dhënave të FlightAware.
Ndërkohë, vende të tjera të SHBA përjetuan mot jashtëzakonisht të ngrohtë.
Temperaturat në Uashington DC arritën 27C të enjten, një nivel i lartë për muajin shkurt që ka ndodhur për herë të fundit në vitin 1874.
Qytetet e Karolinës së Veriut të Charlotte dhe Greensboro gjithashtu përjetuan nivele rekord.
Moti i nxehtë i dimrit është në kontrast të plotë me të ftohtin që godet Kaliforninë jugore, e cila zakonisht është e ngrohtë dhe me diell gjatë gjithë vitit.
Një paralajmërim për stuhi dimërore u bë nga Shërbimi Kombëtar i Motit , miliona njerëzve iu tha të përgatiteshin për temperatura jashtëzakonisht të ftohta, erëra të forta dhe borë.
“Ne jemi ende në rrugën për stuhinë më të rrezikshme të dimrit. Priten kushte stuhie dhe reshje dëbore”, shkroi Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) Los Angeles në një postim në Twitter.
Sipas NWS, hera e fundit që Los Angeles ishte nën një paralajmërim stuhie ishte në vitin 1989.
Kriza e ftohtë detyroi shkollat, bizneset dhe disa instuticione shtetërore të mbyllen.
Portland, Oregon, pati gati 28 cm borë gjatë natës, raportoi Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS), dita e dytë e borës më të thellë të regjistruar ndonjëherë.
Rrugët me dëborë shkaktuan vonesa të mëdha në trafik për udhëtarët pasi sinoptikanët parashikuan vetëm reshje të lehta bore.
Zëdhënësi i Byrosë së Transportit të Portland, Dylan Rivera tha për mediat lokale se sinoptikanët nuk kishin arritur të parashikonin reshjet “epike” të borës.
“Edhe sikur të kishim një paralajmërim, kjo do të kishte qenë një ngjarje e madhe. Dhe tani, kemi të bëjmë me një ngjarje të rrezikshme dhe nuk ishim të lajmëruar. Kjo është një goditje e dyfishtë,” tha Riviera për Transmetimin Publik të Oregon.
Guvernatori i Minesotës Tim Walz thirri Gardën Kombëtare për të ndihmuar shoferët e bllokuar në rrugët e dimrit.
Stuhia çoi në vdekjen të një zjarrfikësi vullnetar në Michigan, i cili thuhet se ra në kontakt me një linjë elektrike të rrëzuar.
Zyrtarët në Oregon po hetojnë gjithashtu një vdekje të dyshuar nga hipotermia që ata thonë se mund të lidhet me stuhinë.
Erërat e forta ishin gjithashtu një problem në disa pjesë të SHBA-së, duke çrrënjosur një pemë të madhe, e cila më pas ra në dhomën e ndenjes së një shtëpie në Bay Area të Kalifornisë, raportuan mediat lokale. Zyrtarët e zjarrfikësve atje thanë se një foshnjë një vjeçare ishte në gjendje kritike.
Departamenti i Zjarrfikësve të Bay Area tha se ata po merrnin telefonata për pemë të rrëzuara, shtëpitë e bllokuara dhe linjat e energjisë që bllokonin rrugët.
Në Kanada, breshër dhe borë u parashikua gjatë natës ndërsa disa zona të Ontarios jugore u mbuluan nga bora gjatë mbrëmjes të mërkurën.