Sulmi në Ibër-Lepenc, Haradinaj: Në mbrojtje të Kosovës, me çdo çmim!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar për sulmin e mbrëmshëm në Ibër-Lepenc, duke thënë se shënon aktin më barbar kundër Kosovës në krejt periudhën e pasluftës.

Haradinaj, vlerëson lartë institucionet e Sigurisë dhe emergjencave për reagimin e shpejtë e të vendosur në vendosjen nën kontroll të situatës në veri të vendit.

“Përgjegjësit duhet ta marrin përgjigjen e merituar. Qëndrojmë afër dhe të vendosur si kurrë më parë në mbështetje të Policisë, AKI-së, Zjarrfikësve dhe tërë asaj armate të emergjencave që po e bëjnë këtë punë”, shkruan Haradinaj.

Tutje tha Haradinaj se “sulmi i mbrëmshëm me përmasa terroriste ndaj infrastrukturës së ujit në veri, shënon aktin më barbar kundër Kosovës në krejt periudhën e pasluftës dhe është sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullit të Kosovës”.

“Ai për cak ka pasur nxjerrjen jashtë funksionit të dy segmenteve jetike, furnizimin me ujë dhe energji, me qëllim shkaktimin e një krize me përmasa të paparashikueshme. Skenarë të tillë sot shohim veç në agresionin rus ndaj Ukrainës”.

Haradinaj thotë se përpos dënimit me forcë ndaj këtij sulmi terrorist, gjithë energjitë duhet të fokusohen në zbulimin dhe kapjen e kriminelëve dhe në zbardhjen e skenarëve për destabilizimin e Kosovës.

“Për këtë qëllim e kemi të domosdoshme edhe ndihmën e partnerëve strategjikë të sigurisë, apo një hetim ndërkombëtar. Situata e krijuar është shumë më serioze se një luftë hibride, apo propagande kundër opozitës, medias e analistëve, siç po provon ta devijojë Kryeministri. Sulmet me përmasa agresioni kundër vendit tënd, nuk janë kalkulator për vota.  Në mbrojtje të Kosovës, me çdo çmim! Aleanca me është përgjigja më e mirë ndaj Rusisë dhe satelitit të saj, Serbisë”, ka shkruar Haradinaj.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika